AlbanianSport.com 01/10/2018 16:35
ASNN – Vendet afrikane do të mbështesin Xhani Infantinon për rizgjedhjen e tij si president i FIFA-s. Kështu është shprehur kreu i Konfederatës kontinentale të futbollit afrikan, Ahmad Ahmed. “Mendoj se është detyra ime të njoftoj mbështetjen e Afrikës” – tha Ahmedi në një takim të posaçëm të Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), që u zhvillua në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.
Infantino, ish-zëvendëspresident i UEFA-së, u zgjodh për herë të parë në 2016-ën si kreu i organizmit më të lartë botëror të futbollit, për të pasuar Sep Blaterin, kur ky i fundit u dorëhoq për shkak të përfshirjes në skandalin e korrupsionit. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të mbahen në Paris në qershor të 2019-ës dhe Infantino ka thënë se dëshiron të vazhdojë të qëndrojë.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen afrikane. “Kjo do të thotë shumë për mua, – tha zvicerani. – Që nga koha përpara zgjedhjes sime, unë kisha thënë se kisha bërë gjithçka, për të siguruar mbështetjen e Afrikës.” Infantino besohet të ketë përkrahur Ahmedin kur ky i fundit e rrëzoi Isa Hajatunë, presidentin e CAF-it, nga posti i tij në mars të 2017.
Sipas raporteve, Infantino u hetua nga Komiteti i Etikës i FIFA-s, për ndërhyrjen në zgjedhjet e CAF-it, kur ai hoqi anëtarët kryesorë të komitetit. Më vonë, italiano-zvicerani shkarkoi edhe kryetarin dhe anëtarët e vetë Komitetit të Etikës, duke i dhënë fund përfundimit të hetimit.