Nga Gjergj Vyshka 25.02.2016 16:15
Është bërë e rrugës që tashmë oraret e ndeshjeve të volejbollit shqiptar, përtej asaj çka është vendosur në kalendaret zyrtare të Federatës Shqiptare të Volejbollit, të ndryshojnë. Këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe, sepse është marrëveshje mes skuadrave, që garën e konsiderojnë si një gjë të rëndomtë, apo sa për të kaluar radhën.
Por janë katër raste që ka ndodhur kështu. Dy herë Skënderbeu në fushën e vet, ndaj Teutës e Vllaznisë, nga ora 15:00 që i ka pasur ndeshjet i ka bërë në ora 12:00. Dinamo-Minatori nga ora 12:00 në kalendar është ndërrruar në ora 10:00, madje është lëvizur dhe salla. Dhe tanimë Farka Volej nga ora 15:00 e dërgon ndeshjen në ora 12:00.
Sigurisht që Federata Shqiptare e Volejbollit është në dijeni, sepse duhet të lajmërojë gjyqtarët, sekretarin e ndeshjes, pikëshënuesin dhe vëzhguesin për këto ndryshime. Por të nderuar drejtues kini mirësinë të lajmëroni dhe mediat, gjithnjë nëse kërkoni të pasqyrohet gara dhe ne të mos merremi më me fenomenin “ngatërresa”.
Duket si emërtesë e një operacioni policie, por të gjitha këto ndryshime kanë vetëm një emër, ngatërresë. Të paktën deri në fundin eë sezonit të kaluar, ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, lajmëronte për çdo ndryshim. Bëjeni dhe ju këtë që volejbolli të pasqyrohet nëpër mediet e ndeshjet të mos i fshihen gazetarëve…