Gjergj Vyshka 03.03.2016 16:05
Kamza Basket jo vetëm që është kthyer tashmë në një histori të veçantë, por është krenaria e një qyteti sportdashës. E ngritur nga A-ja në 2010-ën, ndonëse ishte vazhdimi i Valbonës, kjo skuadër që edhe sot është nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Adem Muhametaj i bën krenar të gjithë. 5 trofe të fituara në më pak se 4 vjet, ndërsa e bujshme është fitorja e Kupës së Shqipërisë më 18 shkurt 2016 në Shkodër, atje ku të gjithë rivalet e mendonin Kamza Basket si një kundërshtar të kalueshëm.
Sepse në merkaton e dimrit kësaj skuadre i kanë ikur tre lojtar kyç të tillë si Bruno Daliu e Erind Hasani, njëri tek Teuta e tjetri tek Tirana, por dhe Strazimiri, i cili është bërë pjesë e durrsakëve. Në të tilla kushte për Muhametajn ka qenë e vështirë të paktën në adaptimin e një lojtari qendër. Në fakt, ashtu sikurse pranojnë të gjithë specialistët, Kamza Basket ka një pesëshe të sigurt.
Kjo pesëshe nis me kapitenin legjendar Erkand Karaj (vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë në Shkodër për kampionat ka realizuar 32 pikë nga 69 të shënuar prej skuadrës, ndërsa numërohen plot 7 trepikësha) dhe vazhdon me Birçajn, Gjokajn, Hamatin, apo pse jo dhe Shestanin, Gled dhe Ergi Muhametaj, Roshi, Balliu, Fjolla e të gjithë lojtarët e tjerë të kësaj skuadre. Të gjithë fitues, por mbi të gjitha vërtetues të fjalës që skuadrën nuk e bëjnë më emrat.
Kamza Basket nën udhëheqjen e Muhametajt është sot fituesja e pesë trofeve, që do të thotë një herë kampion në sezonin 2012-2013, dy herë fituese e Kupës së Shqipërisë, 2012-2013 dhe 2015-2016, si dhe dy herë fituese e Superkupës. E të gjitha këto trofe janë në kohën e kryebashkiakut Xhelal Mziu, i cili më së shumti jo vetëm që ka dhënë mbështetje për skuadrën, por ka arritur të ndërtojë sallën sportive në Bathore, atje ku Kamza Basket luan si për meshkuj, ashtu dhe për femra përpara sportdashësve të vet. Ndaj të gjithë ndihen mirë e krenar me këtë skuadër.