Pjesë e grupit të 16 trajnerëve të kursit UEFA Pro, që po zhvillohet prej rreth një viti në Tiranë dhe që dje ishin mysafirë në Shkodër janë edhe dy përfaqësues të futbollit kosovar. Bëhet fjalë për Afërdita Fazlia dhe Muharrem Saiti, figura shumë të njohura të futbollit kosovar si sportistë dhe si trajnerë që sot janë në cilësinë e drejtuesve të përfaqësueseve të femrave dhe meshkujve në shtetin e Kosovës.
Duke iu përgjigjur pozitivisht interesimit të “Sport Ekspres”, Afërdita Fazlia, që vjen nga Drenica komuna Skenderaj, në cilësinë e trajneres së përfaqësueses së Kosovës në futboll për femra përcolli vlerësimet më të mira për ditët që ka kaluar në Shqipëri si pjesë e këtij kursi. “Krahas të tjerave më duhet të nënvizoj faktin se një ndihmë dhe mbështetje shumë të madhe kam pas nga drejtuesi i këtij sektori në FSHF, Astrit Maçi, të cilin dua ta falënderoj publikisht, – ka thënë ajo.
“Është fat shumë i madh, që është një grup shumë i mirë, ku përveç leksioneve të shumta është mundësia për të marrë këshilla dhe përvojë edhe nga trajnerë të njohur të këtij kursi që kanë pasur suksese në punën e tyre, – vijoi trajnerja kosovare. – Futbolli i femrave, por edhe i meshkujve në Kosovë patjetër që do të ketë impaktin e vetë edhe nga mësimet dhe kualifikimet që ne po marrim në këtë kurs, pasi së bashku me mua në këtë kurs është edhe trajneri i përfaqësueses Muharrem Saiti, ish futbollist dhe ish-legjenda e futbollit të Kosovës.”