Gjergj Vyshka 16.03.2016 18:55
Fatmir Cuka, ish-trajneri i kombëtares së basketbollit të meshkujve, në një lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në “Sport Magazin” të “Ora News”, jo vetëm që ka vlerësuar Arben Fagun, por ka premtuar se, nëse do të jetë ai president, do të marrë trajnerët shqiptar në Amerikë dhe do t’i dërgojë në klinika të ndryshme. “Ne jemi rritur në basketbollin shqiptar, – ka thënë ai. – Unë, ime shoqe dhe im bir të tre bashkë pjesë e ekipit kombëtar.”
“Dhe është e vështirë të shkëputemi nga realiteti shqiptar, – ka vijuar Cuka. – Si Arben Fagu, si i vëllai i kanë dhënë shumë basketbollit shqiptar dhe jemi edukuar nga ata për të qenë të suksesshëm në rrugën tonë dhe në Amerikë. Është për t’u vlerësuar për çfarë ka dhënë. Zgjedhjet ishin për t’u bërë në shtator dhe ideja e kësaj zgjedhje të shpejtë është jo normale. Nuk të jep mundësi për të nxjerrë kandidatin e duhur. Arben Fagu është një nga figurat e duhura.”
“Është edukuar nëpërmjet basketbollit, trajner i suksesshëm, – ka thënë ish-trajneri i Kombëtares. – Me eksperiencën e tij basketbolli do të eci përpara. Nuk mund të them më shumë, sepse këtu të kthehet më pas në urrejtje. Ponari, një biznesmen i suksesshëm, e ka ndihmuar ndoshta basketbolli ashtu si e mendon ai. Basketbolli ka nevojë për ndryshime dhe Ponari duhet ta ndihmojë basketbollin shqiptar dhe Fagun. Trajnerit të huaj i uroj suksese. Ta ndihmojmë të jetë në mesin tonë.
“Se si mund të zgjidhet një trajner, zëvendëstrajnerët e tij, dje në mëngjes në mëngjes e mora vesh, – ka vijuar Fatmir Cuka. – Por Shqipëria nuk vuan për trajnerë. Kemi Pirro Lekën në Itali. Trajneri i huaj nuk i di problemet dhe FSHB duhet ta dalë me një justifikim nga erdhi kjo ide”. Në përfundim Cuka do të deklaronte: “Fagu është person që bashkon basketbollin. Nëse zgjidhet president trajnerët e ekipeve të moshave dhe të kombëtares do t’i marrë në Amerikë dhe do t’i çoj nëpër klinika trajnerësh.”