AlbanianSport.com 05/05/2020 20:55
ASNN – Kampionati Evropian i Sporteve të Ujit, që ishte parashikuar të mbahej nga 11 maji, deri më 24 maj të këtij vit në Budapest, është shtyrë për vitin 2021 për shkak të epidemisë së koronavirusit. Lajmin e ka bërë të ditur të martën Federata Evropiane e Sporteve të Ujit (LEN). Ky kampionat fillimisht ishte shtyrë për në fund të gushtit, por tanimë është vendosur që të mbahet nga data 10, deri më 23 maj të vitit të ardhshëm.
“Ne besojmë se është reale që deri në maj të vitit 2021 gjërat do të kthehen në normalitet, duke lejuar organizimin e një veprimtarie të jashtëzakonshme”, – ka deklaruar organizmi evropian i këtyre sporteve. LEN ka njoftuar gjithashtu se sezoni evropian i vaterpolos është anuluar, përfshirë këtu Ligën e Kampioneve, Ligën e Evropës të femrave dhe Kupën e Evropës.
Ndërkaq, në një zhvillim të njëkohshëm, rrjeti prestigjioz britanik, BBC, raporton se kampioni i trefishtë olimpik në not, kinezi San Jeng, ka apeluar në Tribunalin Federal të Zvicrës, ndaj pezullimit 8-vjeçar për doping. Ai u pezullua pasi kishte shmangur një test dopingu. Notari 28-vjeçar ishte shpallur fillimisht i pafajshëm nga Federata Botërore e Notit (FINA).
Por, Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe kjo e fundit anuloi vendimin e FINA-s. Kinezit San iu dha një pezullim 8-vjeçar pasi kjo ishte shkelja e dytë e tij. Ai kishte vuajtur një pezullim 3-mujor në vitin 2014, pasi kishte marrë stimuluesin e ndaluar “Trimetazidine”. Notari kinez fitoi dy të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 2012 në Londër dhe një të artë e një të argjendtë në ato të vitit 2016 në Rio de Zhaneiro.