AlbanianSport.com 06/02/2024 21:45
ASNN – Evropiani i priftërinjve nis me një humbje, Shqipëria mundet 0-2 nga Kroacia në ndeshjen hapëse të turneut në Shkodër. Kampionati Evropian i Minifutbollit për Priftërinjtë, që po zhvillohet në Shkodër, ka nisur me një humbje 0-2 të Shqipërisë përballë Kroacisë. Për Imzot Anxhelo Masafrën, kjo veprimtari përcjell frymën e tolerancës, ndërsa ka folur edhe kapiteni i Shqipërisë, Dom Mark Shtjefni.
Kështu, Kampionati Evropian i Minifutbollit për priftërinjtë ka nisur me humbje për Kombëtaren e Shqipërisë, pasi në ndeshjen e parë hapëse përballë përfaqësueses së Kroacisë, kuqezinjtë janë mundur me rezultatin 0-2. Fillimi i ndeshjes ka qënë më i mirë për kuqezinjtë tanë, por dy minuta nga mbyllja e pjesës së parë, kroatët shënojnë golin e parë.
Së bashku edhe me një tjetër gol në pjesën e dytë, kroatët e fitojnë të gjithë takimin 2-0. “Në fakt, është diçka e bukur të shohësh sesi sporti ndërthuret me besimin dhe e gjithë kjo bëhet në frymën e tolerancës, – ka thënë Imzot Masafra. – Është kënaqësi që ne e presim këtu në Shkodër këtë veprimtari.” Për emocionet e Evropianit ka folur edhe kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Dom Mark Shtjefni.
“Është një moment që kemi marrë pak kohë për vete sepse fillimisht kemi pas kohën e organizimit dhe tanimë jemi duke u marrë paksa me aktivitetin tonë fizik”, – ka thënë Dom Shtjefni. Ndeshja e radhës për Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Priftërinjëve në Futsal, është ndaj Sllovenisë, ndërsa në këtë turne marrin pjesë 17 ekipet përfaqësuese kishtare.