Nga Frederik Ruço 18.09.2016 18:00
Ishte vetëm 14 vjeç kur nisi pjesëmarrjen e saj në këtë klub të famshëm të krijuar si Sport Klub “Tirana” më 1920. Ajo u kalit aty si një nga figurat sportive më të spikatura, ku brenda saj mëtonin figura të shquara të tjera, jo vetëm për Sport Klub Tiranën, por dhe në atë kombëtar e ndërkombëtar. Ajo u rendit përbri yjeve të këtij sport-klubi të famshëm duke shtuar numrin si krenaria e këtij klubi të papërsëritshëm.
Që nga mosha 14 vjeçare deri sa doli në pension, por dhe më pas, ajo nuk u nda për asnjë çast, nga mjedisi, ku ajo dha rininë dhe moshën e pjekurisë, duke dhënë ndihmesën edhe në aspektin shoqëror. Po 14-vjeçare kur u grumbullua në radhët e ekipit kombëtar në vitin 1948. “Xheku” takimin e parë ndërkombëtarë e luajti në Kampionatin Ballkanik në Sofje të Bullgarisë, ndërsa ishte takim historik i sportit shqiptar për femra, Xheku cilësohej si “pioniere” e basketbollit kombëtar shqiptar.
Që nga viti 1948-1959 ajo mori 11 medalje kampione me ekipin e basketbollit për femra të Tiranës; asokohe “17 Nëntori”. Xheku luante për të njëjtin klub dhe volejboll e atletikë. Evgjeni Vasil Kote është e mbushur me plot tituj nderi e dekorata, falë vullnetit e sakrificave të familjarëve të Xhekut, si dhe të vet, karakterit të saj. Xheku është qytetare nderi e Tiranës. Ndërkohë është dekoruar në vitin 1953 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Po kështu është dekoruar me urdhrin “Naim Frashërin, Klasi II”, si dhe me urdhrin e Punës të Klasit të dytë. U nda nga jeta më 11 gusht 2016.