AlbanianSport.com 12.06.2016 09:55
ASNN – Rrjeti prestigjioz sportiv kontinental, “Eurosport”, në një analizë të tij, ka dhënë edhe notat e ndeshjes për lojtarët e Kombëtares kuqezi në debutimin e Shqipërisë në një veprimtari madhore futbollistike, siç është Kampionat Evropian “Francë 2016”. Sipas faqes në Internet të këtij rrjeti, kapiteni Lorik Cana ishte lojtari më i dobët në fushë, kjo për shkak të dy kartonëve të verdhë që e lanë skuadrën në inferioritet numerik. Ja dhe notat për lojtarët dhe trajnerin Xhovani De Biazi:
Etrit BERISHA (5.5) – Realizoi disa pritje të shkëlqyera, por dalja e gabuar në rastin e golit të zviceranëve ndëshkoi Shqipërinë. Ky është fati i portierit: gabimi i tij kushton më shtrenjtë se ai i lojtarëve të tjerë
Elseid HYSAJ (6) – Nuk e nis ndeshjen mirë përballë Rodrigezit, por më pas del në pah me disa pasime të shkëlqyera për Sadikun.
Lorik CANA (4) – Një ndërhyrje e gabuar dhe një prekje e topit me dorë brenda 36 minutave të para. Lë të tijët me 10 lojtarë dhe e bën këtë në momentin më të mirë të ndeshjes për kuqezinjtë.
Mërgim MAVRAJ (5.5) – Jo mirë në mbulimin e Seferoviçit, por, për fatin e tij të mirë, sulmuesi i Zvicrës nuk bënte dot gol.
Ansi AGOLLI (5.5) – Shtyn pak dhe nuk ishte mirë as në fazën mbrojtëse.
Odise ROSHI (6) – Ndihmon kudo dhe vrapon shumë.
Burim KUKELI (6) – Pasi Cana mori kartonin e kuq, bëhet edhe më i rëndësishëm për skuadrën. Ndihmon shumë para mbrojtjes dhe luan mirë si qendërmbrojtës.
Amir ABRASHI (6.5) – Më aktivi në mesfushën e Shqipërisë, që e pati të vështirë të sulmonte.
Taulant XHAKA (5.5) – Në përballjen e shumëpritur me vëllanë e tij, Granitin, Taulanti doli i mundur. Shumë pak pasime.
Ergys KAÇE (5.5) – Hyri në lojë në pjesën e dytë, por zëre se nuk hyri.
Ermir LENJANI (5.5) – Më shumë mbrojtës sesa sulmues krahu. Shqipëria krijon shumë pak nga e majta.
Armando SADIKU (5) – Humbet një rast të mirë për barazim në pjesën e parë. Edhe në pjesën e dytë jo mirë.
Shkëlzen GASHI (4.5) – Vetëm 4 minuta nga fundi i ndeshjes del i vetëm përballë Somerit, por nuk arrin të shënojë. Raste të tilla duhen shfrytëzuar.
Xhovani DE BIAZI (6) – Çfarë faji ka trajneri kur sulmuesit nuk shënojnë kur dalin përballë portierit? Trajneri italian është i pafat në debutimin e tij në Evropian. Me më shumë kujdes nga lojtarët, mund të ishte marrë një pikë.