AlbanianSport.com 11.09.2015 07:55
ASNN – Kampionati Evropian i Basketbollit për meshkuj, i cili ka nisur më 5 shtator dhe përfundon më 20 shtator, tashmë ka hyrë në fazën e tij më interesante. Pasi kanë përfunduar ndeshjet në grupe, të cilat janë luajtur në Montpelje, Berlin, Zagreb dhe Riga, tashmë janë kualifikuar 16 më të mirat, që do të vazhdojnë luftën për finalen e madhe.
Këtë fazë e kanë siguruar Franca, Turqia, Letonia, Sllovenia, Spanja, Polonia, Greqia, Belgjika, Serbia, Finlanda, Kroacia, Republika Çeke, Izraeli, Italia, Lituania dhe Gjeorgjia. Duhet theksuar se ka ndryshuar tashmë formula e fazës finale, ndërsa nuk do të ketë më si më parë grupe në turin e dytë, që do të caktonin gjysmëfinalet, por eliminim direkt.
Do të luhet të shtunën dhe të dielën me eliminim direkt në Lilë të Francës për turin e 16-shes. Çerekfinalet do të luhen të martën dhe të mërkurën, dhe gjysmëfinalet më 17 dhe 18 shtator. Për t’u ndalur më pas në finalen e madhe më 20 shtator 2015. Ajo që duhet theksuar është se ky Kampionat Evropian është i vlefshëm dhe për kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Të gjitha emocionet e kësaj veprimtarie po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.