Adriatik Balla 22.09.2015 21:15
Kampionati Evropian i Basketbollit për Meshkuj, “Eurobasket 2015”, dhuroi emocione të shumta dhe kulmoi me finalen e dy ditëve më parë, kur Spanja mundi Lituaninë me rezultatin 80-63. Në këtë ndeshje shkëlqeu njëri prej lojtarëve më të mirë në botë, Po’ Gasol, i cili ishte dhe pikëshënuesi më i mirë i ekipit të tij. Ai u shpall nga FIBA edhe si lojtari më i mirë i veprimtarisë. Basketbollisti i njohur i thuri dje elozhe suksesit spanjoll, duke thënë se Spanja është ylli i basketbollit botëror, duke e krahasuar atë dhe me SHBA-në.
Spanja ishte e përsosur në çdo drejtim dhe kjo u evidentua dhe nga statistikat e ndeshjes, apo dhe komentet e opinionistëve. Për Po’ Gasolin, ky ishte një sukses më se i merituar dhe Spanja e meritonte trofeun për atë që i ka dhënë basketbollit evropian e atij botëror gjatë këtyre viteve. Titulli i kampionit, ai i pikëshënuesit më të mirë të turneut dhe në fund çmimi i “Lojtarit Më të Vlefshëm” (“MVP”) së Evropianit të Basketbollit. Po’ Gasolj i ka merituar të gjitha sepse në “Eurobasket 2015”, falë magjive të tij udhëhoqi Spanjën drejt trofeut të tretë evropian.
Në Lillë, skuadra e trajnerit italian Serxhio Skarçiolo mposhti lehtësisht në finale Lituaninë por për këtë një meritë ta padiskutueshme e ka pikërisht ai, veterani i Çikago Bulls në NBA, Po’ Gasol. Në intervistën për mediat, 35-vjeçari katalan nuk mund ta fshehte lumturinë për këtë moment fantastik që po përjeton në karrierën e tij. “Është një ndjesi e mrekullueshme të shpallesh kampion Evrope për të tretën herë, sidomos pas gjithë atyre vështirësive që kishim përjetuar në këtë kampionat, – ka thënë ai. – Ditëm të reagonim në momente kritike, dhe në fund finalizuam në mënyrë të shkëlqyer gjithçka.”
Më pas Po’ Gasoli foli edhe për çelësin e suksesit që çoi Spanjën drejt triumfit në “Eurobasket 2015”, si dhe komentoi paraqitjen e tij në Kampionatin Evropian të koshit, që u zhvillua në 4 vende të ndryshme. “Nuk i bëmë një nisje shumë të mirë turneut dhe për këtë arsye me kalimin e ndeshjeve i kushtuam shumë rëndësi edhe detajeve më të vogla, – pohoi ai. Ishim një grup i bashkuar dhe me një mbrojtje të fortë arritëm të triumfonim pasi kishim besim në aftësitë tona.”
“Shumë njerëz nuk besonin te suksesi ynë por falë një pune të palodhur arritëm të kurorëzoheshim në fund me titullin “kampion”, – theksoi Gasoli. – Evropiani i madh që zhvillova? Pa ndihmën e shokëve të mi nuk do t’ia kisha dalë për këtë të jeni të sigurt.” Pas shpalljes së Spanjës kampion i Evropës në basketboll, është përzgjedhur edhe pesëshja më e mirë e këtij turneu. Spanja fitoi në finale kundër Lituanisë me rezultat prej 80-63. Kurse pas finales është shpallur edhe pesëshja më e mirë, e cila përbëhet nga dy spanjollë, dy lituanezë dhe një francez.