AlbanianSport.com 25.06.2016 22:25
ASNN – Uellsi shkruan historinë teksa për herë të parë në historinë e tij të futbollit, kalon në çerekfinalet e një kampionati evropian. Ka mjaftuar një autogol Mek’oulit, që Gareth Bejl me shokë të mposhtin 1-0 Irlandën e Veriut. Kështu, Uellsi është skuadra e dytë e kualifikuar për në çerekfinalet e Euro 2016.
Në “Park De Princes”, skuadra e Gareth Bejlit realizon ëndrrën evropiane, ku pasi ka mposhtur 1-0 irlandën e Veriut, për herë të parë në historinë e tij të futbollit, e sheh veten në çerekfinalet e kësaj veprimtarie. Ndërsa të dyja skuadrat kanë luajtur me shumë kujdes, duke studiuar lojën e njëra-tjetrës, ka ardhur autogoli i Mek’oulit në minutën e 75-të të takimit.
Eshtë ylli i Uellsit, Gareth Bejl që ka gjuajtur fuqishëm nga krahu i majtë i sulmit dhe Mek’ouli, në përpjekje për ta largur topin nga zona e portës, e dërgon gabimisht në rrjetë. Kaq ka mjaftuar dhe rezultati 1-0 për Uellsin, i fiksuar në të 75-ën minutë të takimit, është ruajtur deri në përfundim të 90 minutave lojë. Tashmë, në çerekfinale, Uellsi do të luajë me fituesin që do të dalë nga përballja Belgjikë-Hungari.