AlbanianSport.com 14.06.2016 17:05
ASNN – Federata e Futbollit e Rusisë është gjobitur me 168,000 dollarë për shkak të dhunës së tifozëve në Kampionatin e 15-të Evropian të Futbollit, “Euro 2016”, që po mbahet në Francë.
UEFA ka paralajmëruar po ashtu se përfaqësuesja ruse mund të përjashtohet nga turneu në rast të dhunës së mëtejshme. UEFA ka thënë se skualifikimi do të hyjë në fuqi nëse “incidente të natyrës së ngjashme ndodhin brenda stadiumit” në ndonjërën nga ndeshjet e mbetura të Rusisë.
Kjo e fundit luan me Sllovakinë më 15 qershor në Lilë. Tifozët rusë janë përleshur me tifozët anglezë përpara ndeshjes midis dy përfaqësueseve më 11 qershor në Marsejë, që u mbyll në barazim 1-1.
Së paku 35 veta, shumica britanikë, janë plagosur gjatë përleshjeve. Zyrtarët francezë kanë thënë se rreth 150 rusë, të përfshirë në përleshje, “kanë qenë të trajnuar jashtëzakonisht mirë” dhe “të përgatitur për veprime tepër të dhunshme”.