AlbanianSport.com 17.06.2016 22:55
ASNN – Kampionia në fuqi e Evropës, Spanja, ka treguar se nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë kurorën e kontinentit, pas ka mposhtur Turqinë me rezultatin bindës, 3-0, dhe është bërë skuadra e tretë pas Francës dhe Italisë, që kualifikohet edhe matematikisht për në turin tjetër të Evropianit.
Dita e 8-të e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, është mbyllur me duelin mesdhetar midis Spanjës dhe Turqisë, një duel që është mbyllur me fitoren bindëse të iberikëve me shifrat 3-0.
Kampionia në fuqi e Evropës, ka treguar se nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë kurorën e kontinentit, teksa është bërë skuadra e tretë pas Francës dhe Italisë, që kualifikohet edhe matematikisht për në turin tjetër të Evropianit.
Turqia, e cila erdhi në këtë ndeshje pasi ishte mundur minimalisht nga Kroacia në takimin e parë, ka rezistuar deri në minutën e 34-t, por më pas është shkërmoqur, duke pësuar dy gola brenda 3 minutave, fillimisht me autor Moratë, e më pas me Noliton.
Me këtë epërsi dygolëshe të spanjollëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të sjellin edhe një tjetër gol për ekipin e trajnerit Visente Del Boske, me autor Moratën, që bëhet kështu i pari lojtar që shënon dygolësh në Evropian.
Spanja fiton 3-0 dhe prek turin e 16-shes, ndërsa Turqia shpreson vetëm tek matematika.