AlbanianSport.com 26.06.2016 15:25
ASNN – Sonte, duke nisur nga ora 21:00 në “Stadë dë Tuluzë” Belgjika do të përballet me Hungarinë në ndeshjen e vlefshme për turin e 16-shes së Kampionatit Evropian të Futbollit, “Francë 2016”. Madje Hungari-Belgjikë është sfida që do të mbyllë programin e ditës së sotme për këtë. Skuadra hungareze është surpriza më e madhe e këtij turneu pasi u kualifikuan si e para e grupit F, duke lënë pas Portugalinë dhe duke mos njohur asnjë humbje.
Trajneri gjerman i hungarezëve, Bernd Stork, do të luajë sërish me formacionin 4-2-3-1, me sulmuesin e vetëm Szalain, të mbështetur nga treshja Elek, Lovrençiç dhe Xhuxhak. “Belgjika është një skuadër mjaft e fortë dhe një nga favoritet e këtij Evropiani, – ka thënë ai. – Por ne do të bëjmë lojën tonë. Jemi te lumtur që kaluam grupin dhe do të luajmë pa presion. I dimë aftësitë tona,duhet të jemi të saktë në mbrojtje,të organizuar dhe efikas. Veçoria jonë kryesore është shpirti skuadrës.”
Nga ana tjetër, “Djajtë e kuq”, siç njihet ndryshe përfaqësuesja e Belgjikës, të nisur si favoritet kryesore në këtë kampionat, u tronditën pas humbjes në ndeshjen e parë me Italinë, por, më pas, fituan ndaj Irlandës dhe Suedisë. Trajneri Mark Vilmots me djemtë e tij nuk duan të ndalojnë, edhe pse nuk mund ta nënvlerësojnë Hungarinë, që ka zhvilluar një kampionat dinjitoz deri në këto momente. “Duhet të bëjmë lojën tonë”, – ka thënë ai.
“Të fitojmë terren sa më shumë te jetë e mundur dhe më pas të shohim ç’do të ndodhë, – ka vijuar ish-lojtari i Shalke 04-ës. – Në letër jemi favorite por fusha tregon dhe të kundërtën. Duhet të përmirësohemi në lojë dhe duhet të fitojmë, ashtu siç kemi bërë ndaj Suedisë dhe Irlandës.” Sfida e sotme mes Belgjikës dhe Hungarisë do të luhet në “Stadë dë Tuluzë”, duke nisur nga ora 21:00 dhe do të gjykohet nga serbi Milorad Maziç.