AlbanianSport.com 19.06.2016 10:40
ASNN – Francë-Zvicër është një supersfida e grupit A, e cila do të përcaktojë edhe renditjen e dy ekipeve të kreut. Francezët kanë 6 pikë dhe janë të kualifikuar. Një barazim u mjafton për të qenë të parët në grup. Edhe Zvicra me 4 pikë, kënaqet me një barazim. Por fitorja e ngjit në vendin e parë në grup.
Sot në mbrëmje mbyllen sfidat kualifikuese në grupin A të Euro 2016. Përveç Shqipërisë me Rumaninë, luhet edhe supersfida, Francë-Zvicër. Skuadra vendase e trajnerit Didië Deshomp ndodhet në krye të grupit A, me 6 pikë pas dy fitoreve me Rumaninë dhe Shqipërinë.
Francezëve u mjafton një barazim me Zvicrën për të ruajtur vendin e parë në grup. Por, mbi të gjitha, galët duhet të luajnë për të bërë një figurë të mirë, pas dy ndeshjeve të para aspak bindëse, përsa i përket lojës së shfaqur në fushë. Të mbushur me yje e futbollistë të talentuar, që luajnë në klubet më të mëdha evropiane, francezët nuk kanë shkëlqyer në dy ndeshjet e para.
Fati ka qenë me ta, duke u dhuruar fitoren. Ndërsa Zvicra ndodhet në kuotën e 4 pikëve. Edhe për zviceranët, barazimi do të ishte i kënaqshëm pasi ngjiteshin në kuotën e 5 pikëve dhe ruanin vendin e dytë. Por fitorja, Shaqirin me shokë e ngjit në vendin e parë në grup. I mbetur në hije në dy ndeshjet e para, Shaqiri kërkon të japë më të mirën e tij në sfidën me Francën.