AlbanianSport.com 15.06.2016 17:25
ASNN – Veprimtaria më madhore futbollistike kontinentale, Kampionati Evropian “Francë 2016” ka nisur sot ditën e 6-të të tij, që është edhe dita e parë e raundit të dytë të ndeshjeve në grupe. Ndeshja e parë është luajtur pasdreke dhe Sllovakia ka shtangur Rusinë, duke fituar me rezultatin 2-1 dhe duke mbajtur gjallë shpresat për kalimin e fazës së grupeve.
Dita e 6-të të Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit “Francë 2016” ka luajtur pasdreke ndeshjen e saj të parë dhe Sllovakia ka shtangur Rusinë, duke fituar me rezultatin 2-1 dhe duke mbajtur gjallë shpresat për kalimin e fazës së grupeve. Sllovakët, të cilët e kishin humbur ndeshjen e parë në grup, 1-2 përballë Uellsit, kanë qenë më dominues në pjesën e parë.
Madje kanë gjetur edhe dy gola të përafërt përsa i përket mënyrës së realizimit. Vladimir Vais ka realizuar të parin pas 32 minutash lojë, duke finalizuar me sukses një kundërsulm të sllovakëve, pasi shmangu zgjuarsisht dy mbrojtës rusë dhe goditi bukur, duke përshëndetur rrjetën. Ndërkaq, në aksionin e fundit të pjesës së parë, është Hamshik që do të reagojë shpejt pas një goditje këndi.
Ai ka goditur fort, duke mposhtur portierin rus. Pjesa e dytë do të sjellë një gol për Rusinë, me autor Glushakovin, por ky gola ka ardhur shumë vonë dhe ka qenë shumë pak për shmangur humbjen. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për grupin B, ndërsa takimi tjetër i këtij grupi është ai që luhet të enjten, duke nisur nga ora 15:00, midis Anglisë dhe Uellsit.