AlbanianSport.com 20.06.2016 17:05
ASNN – Ndeshja tjetër e grupit B do të jetë ajo mes Rusisë dhe Uellsit. Rusët kanë vetëm një rezultat në dispozicion për t’u kualifikuar, fitoren. Me tre pikët kualifikohen, në të kundërt do të largohen nga kjo veprimtari, duke i dhënë, pse jo, një mundësi frymëmarrjeje UEFA-s dhe forcave të rendit në Francë, që mezi presin të shmangin ultrasit rusë.
“Duhet të jemi të qetë në ndeshjen e sotme, – ka thënë trajneri i rusëve, Leonid Slutski. – Uellsi ka një skuadër mjaft të mirë. Na duhet të fitorja dhe duhet të bëjmë gjithçka.” Ndërsa Uellsianët do t’i besojnë sërish dyshes Bejl-Robson Kanu për të arritur kualifikimin historik për në fazën tjetër.
“Rusia është një skuadër kompakte, por ne duhet të fitojmë, – ka thënë trajneri i britanikëve, Kris Kolman. – E di që na pret një ndeshje tepër e vështirë.” Ndërsa për Gareth Bejlin, kjo është ndeshja e jetës. Sfida Rusi-Uells do të luhet në stadiumin e Tuluzës dhe do të gjykohet nga suedezi Jonas Erikson.