AlbanianSport.com 25.06.2016 23:55
ASNN – Pas Polonisë dhe Uellsit, Portugalia është skuadra e tretë që siguroi vendin në çerekfinalet e Evropianit “Francë 2016”, pasi triumfoi në fundin e kohës shtesë ndaj Kroacisë. Kroatët cilësoheshin si një nga skuadrat surprizë të këtij Evropiani, pasi në grup kishin triumfuar edhe mbi Spanjën, duke e mundur dhe duke i marrë edhe kreun e renditjes, por janë eliminuar nga një gol i shënuar nga Kuarezma.
Në ditën e 16-të të Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, janë zhvilluar 3 ndeshjet e para të turit të 16-shes dhe, në takimin e zhvilluar në mbrëmje, Portugalia u është falur kohëve shtesë për të mposhtur Kroacinë dhe për të siguruar vendin në çerekfinale. Në fakt, kroatët cilësoheshin si një nga skuadrat surprizë të këtij Evropiani, pasi në grup kishin triumfuar edhe mbi Spanjën, duke e mundur dhe duke i marrë edhe kreun e renditjes.
Ndërsa nga ana tjetër, portugezët vinin pas një kualifikimi zhgënjyes, të marrë me 3 barazime në po aq ndeshje të grupit. Megjithatë, ndeshja e së shtunës mbrëma ka qenë një duel i luftuar fort, fizikisht, por, sidomos, taktikisht dhe kjo ka bërë që rastet e pastra për shënim të jenë të pakta. Për rrjedhojë, 90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën me rrjeta të paprekura dhe gjithçka shkoi në shtesë.
E atëherë kur mendohej se edhe kjo sfidë, sikundër ajo Zvicër-Poloni do t’u drejtohej 11-metërshave, Portugalia ka gjetur golin e fitores në minutën e 117-të, me anë të Rikardo Kuarezmës. Nuk ka më kohë dhe kroatët largohen mes lotëve, ndërsa portugezët shohin drejt çerekfinales.