AlbanianSport.com 10.07.2016 13:30
ASNN – Supozohej që ky Evropian të ishte një nga kulmet e lavdisë së tij personale si drejtues, e për më tepër pas një organizimi të shkëlqyer dhe pas arritjes në finale të përfaqësueses së tij të zemrës.
Por Evropiani i 2016-ës është shndërruar në ëmbëlsirë të hidhur për ish-presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, i cili mësohet së fundmi se ka refuzuar ftesën për të qenë i pranishëm sonte në “Stadë dë Francë”, në finalen e madhe midis Francës dhe Portugalisë.
Një gjë të tillë e ka pohuar sot Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i UEFA-s, Teodor Teo-doridis, gjatë një konference për shtyp. “Ftesa për Platininë është bërë për gjithë turneun, përfshi edhe finalen”, – ka theksuar zyrtari grek i organizmit që qeveris futbollin evropian.
“Deri më tani, ai nuk ka treguar interes dhe, mesa dimë, nuk do të vijë as në finale, ndonëse shpresojmë deri në fund të ndërrojë mendje”, – shtoi Teodoridis, duke reflektuar edhe një dëshirë të të gjithë UEFA-s.
Kështu, Platinia do të jetë fantazma e madhe e finales së këtij Evropiani, një fantazëm që, sidoqoftë, po davaritet gjithmonë e më tepër në horizontin e futbollit francez dhe atij kontinental.