AlbanianSport.com 18.06.2016 17:05
ASNN – Belgjika ka kapërcyer atë paraqitje të dobët në takimin e parë me Italinë, duke mposhtur Irlandën me rezultatin 3-0 dhe duke u rikthyer në valle për t’i kualifikuar për më tej në këtë Evropian. Takimin i luajtur pasdreke, i vlefshëm për grupin E, është vendosur nga 3 gola të shënuar në pjesën e dytë.
Dita e 9-të e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit “Francë 2016”, që është në fakt dita që mbyll edhe raundin e dytë të ndeshjeve në grupe, ka nisur me takimin e luajtur pasdreke, të vlefshëm për grupin E, midis Belgjikës dhe Irlandës. Belgët e kishin humbur ndeshjen e parë, 0-2 përballë Italisë.
Kësisoj, ata erdhën të transformuar në ndeshjen e dytë, të ndërgjegjshëm se ajo paraqiste për ta shansin e fundit real për të mbetur në lojë për më tej. Pavarsisht një pjese të parë pa gola, belgët kanë shpërthyer në pjesën e dytë dhe pas, vetëm 3 minutash lojë, Romelu Lukaku ka gjetur rrugën e rrjetës.
Goli e ka çliruar skuadrën e trajnerit Mark Vilmots dhe ajo gjen edhe golin e dytë, në minutën e 61-të, me anë të Vitselit. Madje Belgjika do të gjejë edhe një tjetër gol 9 minuta më pas, me autor Lukakun, i cili bëhet kështu futbollisti i dytë në këtë Evropian, që shënon një dygolësh.
Përfundimisht mbyllet 3-0 për belgët dhe irlandezët, të cilët e kishin marrë një pikë në duelin e parë me Suedinë, tanimë do ta kërkojnë në ndeshjen e fundit, atë ndaj Italisë, kualifikimin për në turin e 16-she. Ndërsa Belgjika përballet në ndeshjen e fundit me Suedinë.