AlbanianSport.com 28.06.2016 17:05
ASNN – Evropiani francez rikthehet të enjten me ndeshjet çerekfinale. Janë përcaktuar tashmë 4 çiftet çerekfialiste, ndeshjet e të cilave do të luhen nga data 30 qershor deri në 3 korrik. Poloni-Portugali, Uells-Belgjikë, Itali-Gjermani dhe Islandë-Francë janë duelet që do të luhen për të përcaktuar skuadrat gjysmëfinaliste të “Euro 2016”-ës.
Në përfundim të ndeshjeve të vlefshme për turin e 16-shes së “Euro 2016”-ës, janë përcaktuar tashmë skuadrat e kualifikuara për në çerekfinale. Më 30 qershor luajnë Poloni-Portugali. Një çift interesant, ku bie në sy loja plot grintë e polakëve e zhvilluar deri tani, ndërsa të gjithë presin se çdo të bëjë Potugalia e Ronaldos.
Më 1 korrik, Uellsi përballet me Belgjikën. Një tjetër sfidë me të papritura. Të dyja skuadrat kanë ardhur deri në çerekfinale me meritë dhe duan të bëjnë historinë në futbollin e tyre. Një ditë më vonë, në 2 korrik është supersfida Itali-Gjermani, që vë përballë dy superfuqi të futbollit evropian dhe botëror.
Përballje të shumta midis tyre, të cilat kanë dhuruar spektakël. Secila kërkon të kalojë më tej në Evropianin francez, sepse u mungon prej kohësh një titull i kampiones së kontinentit të vjetër. Sfida e fundit e çerekfinaleve është ajo midis Islandës dhe Francës në 3 korrik.
Islandezët luajnë për të shkruar historinë, ndërsa Franca si vend pritës, kërkon fitoren me çdo kusht. Në përfundim të ndeshjeve çerekfianle do të përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste të Euro 2016.