AlbanianSport.com 12.06.2016 17:05
ASNN – Kroacia ka triumfuar me një gol të vetëm në derbin e Ballkanit ndaj Turqisë, në takimin e që nisi të luhet në ora 15:00. Kjo ndeshje, që është e vlefshme për grupin D, është mbyllur me fitoren e kroatëve me një gol të vetëm, me autor shtatshkurtërin Luka Modriç.
Kështu, dita e tretë e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, ka nisur me ndeshjen e orës 15:00, midis Turqisë dhe Kroacisë. Në fakt, ky derbi i Ballkanit ka qenë një ndeshje e zhvilluar nën nivelin mesatar dhe me raste të pakta për shënim.
Edhe goli, i realizuar nga futbollisti i Realit të Madridit me një goditje fluturimthi nga distanca, ishte më tepër një veprim individual që e gjeti të papërgatitur portierin turk 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Me këtë epërsi njëgolëshe të kroatëve do të mbyllet edhe pjesa e parë.
Ndërsa e dyta i ka parë turqit konfuzë në lojën e tyre përballë një kundërshtari më të disiplinuar në administrimin e rezultatit. Kroatët madje kanë patur mundësi ta thellojnë epërsinë e golave, por në plot 3 raste kjo u është mohuar nga shtylla horizontale, por edhe nga gardiani i portës turke.
Përfundimisht, mbyllet me fitoren 1-0 të Kroacisë kjo sfidë e parë e grupit D, ndërsa sfida e dytë e tij, ajo midis Spanjës dhe Republikës Çeke, luhet të hënën, duke nisur nga ora 15:00.