AlbanianSport.com 27.06.2016 12:30
ASNN – Italia dhe Spanja,finalja e parakohshme do të luajnë sot në orën 18 në Saint Denis për një vend ne çerekfinale. Dy skuadrat përballen për herë te parë që pas finales së kampionatit evropian të 2012 të fituar nga spanjollët 4-0. Mbyllet kështu sot tabloja e turit të 16-shes në Kampionatin Evropian të Futbollit. Në orën 18:00 në “Saint Denis” do të luhet finalja ë parakohshme mes Italisë dhe Spanjës. Gjithçka luhet për të qëndruar ose jo në këtë Evropian, pasi koha për eksperimente ka përfunduar.
Trajneri i italianëve, Antonio Konte, do t’i besojë formacionit 3-5-2 me Florencin që do të zërë vendin e të dëmtuarit Kandreva. I vetmi “balotazh” është në krahun e majtë mes Darmianit dhe De Shiljos. “E respektojmë skuadrën e Spanjës, – ka thënë Konte. – E dimë që do të luajmë ndaj një prej skuadrave më të forta në botë dhe favorite në këtë Evropian. Jemi përgatitur denjësisht për këtë sfidë. Nëse kundërshtari do të jetë më i fortë, do të jemi të parët që do ta duartrokasim.”
“Por dhe Spanja duhet të jetë e kujdesshme ndaj nesh”, – ka përfunduar trajneri italian. Në kampin spanjoll, trajneri Visente Del Boske do të luajë me formacionin e plotë pasi nuk do të ketë asnjë mungesë. I vetmi dyshim mbetet aktivizimi i Nolitos ose Kokesë. “Duhet të respektojmë Italinë, – ka deklaruar trajneri italian. – Jemi dy skuadra në një nivel dhe nuk ka favoritë. Ndeshje e nesërme nuk është e ngjashme me finalen e 2012. Nuk shoh diferenca në gjendjen e lojtarëve dhe nivelin e lojës.”
“Duhet të jemi të kujdesshëm pasi kundërsulmi tyre është vdekjeprurës”, – ka shtuar Del Boske. Ashtu si në Kampionatin Botëror të SHBA-së më 1994, hera e fundit që Italia mundi Spanjën në një veprimtari zyrtare, skuadrat do të luajnë me fanellën e kaltërt për italianët dhe të bardhë për spanjollët. Gjyqtari i ndeshjes do të jetë turku Xhunejt Xhakir, ai që gjykoi finalen e Ligës së Kampioneve, midis Juventusit dhe Barcelonës.