AlbanianSport.com 17.06.2016 19:55
ASNN – Në ndeshjen tjetër, të luajtur duke nisur nga ora 18:00 dhe që ishte e vlefshme për grupin D, Kroacia ka barazuar 2-2 me Republikën Çeke. Një sfidë e dominuar në përgjithësi nga kroatët, të cilët kalojnë të parët në epërsi, në minutën e 37-të, me anë të Perisiçit.
Në pjesën e dytë janë sërish kroatët që dyfishojnë rezultatin, me anë të Rakitiçit. Por, në të 75-ën minutë, çekët shënojnë golin e parë. Shkoda realizon me kokë dhe shkurton largësinë e golave. Pak minuta para përfundimit të ndeshjes, gjyqtari Klatenburg detyrohet të ndalojë lojën për 5 minuta.
Kjo pasi tifozët kroatë kanë hedhur shashka dhe tymuese në fushë, duke dëmtuar madje një punonjës të sigurisë së stadiumit. Në fund të ndeshjes, çekët fitojnë një 11-metërsh dhe Neçid e shndërron atë në gol dhe, përfundimisht, gjithçka mbyllet në barazim 2-2.