AlbanianSport.com 21.06.2016 19:50
ASNN – Gjermania dhe Polonia janë dy skuadrat e radhës të kualifikuara për në turin e 16-shes së fazës finale të Euro 2016. Përfaqësuesja gjermane, kampione në fuqi e botës, ka mundur Irlandën e Veriut 1-0, ndërsa Polakët kanë fituar me Ukrainën po me rezultatin 1-0.
Kështu, edhe grupi C ka përcaktuar skuadrat e kualifikuara për në fazën tjetër të këtij Evropiani. Gjermania dhe Polonia janë dy ekipet që u renditën në vendin e parë dhe të dytë në këtë grup duke fituar kështu të drejtën e vazhdimit të rrugëtimit në këtë veprimtari sportive.
Gjermania ka mundur Irlandën e Veriut në ndeshjen e tretë me rezultatin 1-0 falë golit të realizuar nga Mario Gomez. Megjithë rastet e krijuara, futbollistët gjermanë nuk arritën të shënojnë gola të tjerë në këtë sfidë. Ndërkohë që, një fitore e tyre me një rezultat të thellë 4-0, i jepte mundësinë Kombëtares shqiptare për t’u kualifikuar.
Kjo sepse kuqezinjtë do të kishin një golaverazh më të mirë më pas se sa Irlanda e Veriut. Në ndeshjen tjetër të grupit C, Polonia ka mundur Ukrainën 1-0. Blazhçikovski ka qenë autori i golit të fitores për polakët, duke i dhënë kështu mundësinë skuadrës së vet të kualifikohet direkt si skuadra e dytë në grup.