AlbanianSport.com 26.06.2016 20:25
ASNN – Kampionia në fuqi e botës, Gjermania, ka dëshmuar se është në rrugën e duhur drejt fitimit, pas 20 vjetësh, të kurorës së më të mirës së kontinentit, pasi ka mposhtur bindshëm në duelin e turit të 16-shes Sllovakinë, me rezultatin e pastër 3-0. Dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën, pa llogaritur një 11-metërsh të humbur, u kanë mjaftuar gjermanëve për të vendosur kandidaturën e tyre për trofe në këtë Evropian.
Ndeshja e 5-të e turit të 16-shes së Evropianit “Francë 2016”, ajo që u luajt në stadiumin e Lilës, duke nisur nga ora 18:00, ka vënë përballë Gjermaninë me Sllovakinë. Ky çift ishte në fakt një kapriçio e fatit, pasi këto dy skuadrat ishin përballur me njëra-tjetrën para 4 javësh, më 29 maj, në një miqësore, dhe sllovakët fituan me rezultatin 3-1.
Por Gjermania ka dëshmuar se ajo humbje ishte thjesht një vegim, duke sulmuar që nga minuta e parë e ndeshjes së të dielës dhe duke patur nevojë vetëm për 8 minuta për gjetur golin e parë, me autor Boatengun. Madje vetëm 5 minuta më pas, Gomez do të fitojë një 11-metërsh për gjermanët, por Ëzilli godet lehtësisht dhe portieri sllovak grushton dhe e shmang rrezikun.
Pavarsisht disa përpjkejeve të Sllovakisë, Gjermania e gjen edhe një gol tjetër dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, me autor Gomezin. Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të sjellë një tjetër gol për gjermanët, me autor Julian Drakslerin. Më pas, Gjermania do të mjaftohet me administrimin e rezultatit, duke e mbajtur në gjysmëfushën e vet Sllovakinë dhe duke fituar me shifrat 3-0.
Kampionia në fuqi e botës tashmë pret të njohë kundërshtaren në çerekfinale, që do të dalë nga dueli Itali-Spanjë.