AlbanianSport.com 16.06.2016 22:55
ASNN – Një barazim që u shkon për shtat të dyja skuadrave dhe që praktikisht i kualifikon të dyja skuadrat për në turin tjetër të Evropianit “Francë 2016”. Ky ka qenë përfundimi i duelit midis Gjermanisë dhe Polonisë, të zhvilluar të enjten në mbrëmje në kuadër të grupit C dhe që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Gjermania dhe Polonia e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura takimin midis tyre, duke marrë nga një pikë që praktikisht i kualifikon të dyja skuadrat për në turin tjetër të Evropianit “Francë 2016”. Të dyja skuadrat erdhën në këtë takim pasi i kishin fituar takimet e para dhe ndeshja e së enjtes në mbrëmje do të shërbente si provë se cila skuadër do ta mbyllte në krye të renditjes këtë grup.
Megjithatë, takimi midis dy fqinjeve nuk u ngrit dot mbi nivelin mesatar, ndonëse duhet theksuar se, në total, Gjermania bëri një vëllim më të madh loje, ndonëse nuk arriti ta shndërrojë atë në raste të pastra për shënim. Nga ana tjetër, Polonia, ishte më e kujdesshme në lojën e saj, duke luajtur me një formacion të ngjeshur në gjysmëfushën e saj.
Ajo është mbështetur tek aftësitë individuale të yllit të saj, sulmuesit të Bajernit të Mynihut, Robert Levandovski. Për këtë arsye, rastet kanë qenë të pakta dhe gjithçka është mbyllur me rrjeta të paprekura, duke bërë që të dyja skuadrat të shkojnë më të qeta në ndeshjet e fundit në grup, ku Gjermania përballet me Irlandën e Veriut, ndërsa Polonia ndeshet me Ukrainën.