AlbanianSport.com 17.06.2016 18:05
ASNN – Një gol i realizuar nga Eder në minutën e 88-të të takimit me Suedinë, i ka dhënë sot fitoren dhe tri pikët Italisë. E ndodhur në kuotën e 6 pikëve, në krye të renditjes së grupit E, skuadra e trajnerit Antonio Konte është e kualifikuar për në turin e 16-shes së “Euro 2016”-ës.
Ndeshje e ekuilibruar ka qenë ajo e zhvilluar në Tuluzë, midis Italisë dhe Suedisë, e vlefshme për grupin E të fazës finale të “Euro 2016”. Skuadra e trajnerit Konte, mundohet të depërtojë në mbrojtjen shtatlartë të suedezëve, por pa sukses. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 0-0, pas një loje që la mjaft për të dëshiruar nga ana e të dyja skuadrave.
Në pjesën e dytë, Konte kërkon një skuadër më sulmuese dhe aktivizon Zazën në vend të Pelèsë. Por është Eder që merr iniciativën, duke rrezikuar. 20 minuta para përfundimit edhe suedezët shfaqen rrezikshëm në zonën e italianëve. Olson kroson saktë për Ibrahimoviçin, që nuk arrin ta çojë topin në portë, megjithëse ishte pozicion jashtë loje.
Ndërkohë, kundërpërgjigjet Italia me Parolon që godet shtyllën horizontale të portës së “vikingëve”. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit 0-0, në minutën e 88-të, vjen goli i Ederit, duke i dhuruar Italisë 3 pikët dhe, bashkë me to, edhe kualifikimin për më tej në “Euro 2016”.