AlbanianSport.com 26.06.2016 17:05
ASNN – Një dygolësh e shënuar nga Antuan Grizman i dhuron fitoren Francës ndaj Republikës së Irlandës në sfidën e vlefshme për turin e 16-shes. Galët vuajnë por në fund arrijnë të fitojnë 2-1, duke përmbysur golin e shënuar nga Bredi më 11-metërsh. Kështu, Franca vuan më shumë se ç’ishte parashikuar, por në fund arrin të fitojë ndaj Irlandës me shifrat 2-1, duke u kualifikuar për në çerekfinale të Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, ku do të presë fituesen e çiftit Angli-Islandë.
Në “Stadë dë Lion”, ndeshja nis keq për vendasit, të cilët, pas vetëm dy minutash lojë e gjejnë veten në disavantazh falë 11-metërshi të fituar nga Shejn Long. Sulmuesi irlandez futet në zonën e rrëptësisë, ku pengohet nga Pogbaja dhe gjyqtarin Ricoli akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Robi Bredi nuk gabon dhe realizon, duke mposhtur portierin Hugo Loris. Por, dalëngadalë, francezët marrin në kontroll sfidën dhe Pogba dhe Pajet provojnë të dy nga jashtë zone, por pa rezultat.
Më pas, Dafi i heq një gol të sigurtë nga këmbët Olivier Zhirusë, ndërsa edhe Grizmani shënjestron dy herë portën e Rendolfit, por gardiani irlandez eshtë i pakalueshëm. Me epërsinë e irlandezëve mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë për Francën nis me një zëvendësim. Në fushën e lojës futet Kingsli Koman, në vend të Ngolo Kantesë. Këtu ndryshon ritmi i lojës, me Pogbanë që zhvendoset në qendër majtas dhe Matuidinë në të djathtë. Dhe në minutën e 58-të vjen goli i parë për djemtë e Dëshompit.
Sanja depërton në të djathtë dhe pason për Grizmanin, që me një goditje me kokë mposht portierin Rendolf. Tri minuta më vonë, është sërish sulmuesi i Atletikos së Madridit që realizon dhe golin e dytë, pas një pasimi të dhënë nga Olivier Zhirusë. Sikur të mos mjaftonin dy golat e pësuar, Dafi largohet nga fusha duke u ndëshkuar me kartonin e kuq, pas një ndërhyrjeje ndaj Grizmanit. Në epërsi të një goli dhe të një lojtari, francezët kontrollojnë lojë deri në fund të takimit duke siguruar kualifikimin.
Tashmë, Franca do të presë më e qetë fituesen e çiftit midis Anglisë dhe Islandës, sfidë që do të luhet të hënën në orën 21:00 dhe do të mbyllë tablonë e turit të 16-shes së Kampionatit Evropian.