AlbanianSport.com 16.06.2016 19:55
ASNN – Anglia ka fituar 2-1 me Uellsin duke u ngjitur kështu në kuotën e 4 pikëve në grupin B të fazës finale të “Euro 2016”-ës. Uellsi kalon ipari në epërsi me anë të Gareth Bejlit. Por Anglia përmbys rezultatin pas golave të realizuar nga Xhejmi Vardi dhe Daniel Starridxh. Ndërsa Irlanda e Veriut ka mundur 2-0 Ukrainën në një ndeshje të vlefshme për grupin C.
Kështu, derbi britanik ka nxjerrë fitues Anglinë. Për herë të parë në një veprimtari madhore futbollistike, Anglia arrin të përmbysë rezultatin e takimit pasi ka qenë në disavantazh në pjesën e parë. Një fitore për t’u mbajtur mend ajo e arritur nga Anglia në derbin me Uellsin. Në Lens, Anglia dhe Uellsi luajnë një 90-minutësh energjik. Skuadra e “Tre Luanëve” luan më në sulm por nuk arrin të finalizojë.
Në fakt, është Uellsi që, në minutën e 42-të, kalon në epërsi me anë të Gareth Bejlit. Sulmuesi i Realit të Madridit, ekzekuton me forcë dhe mjeshtëri një goditje dënimi nga një distancë e largët, duke shtangur portierin anglez, Hart. Megjithatë, barazimi për Anglinë vjen në minutën e 56-të. Është Xhejmi Vardi, sulmuesi i Lejster Sitit, i sapofutur në lojë, që shënon.
Por fati i këtij takimi vendoset në minutën e parë shtesë. Është Starridxh që vulos rezultatin në 2-1 për Anglinë, e cila ngjitet në kuotën e 4 pikëve në grupin B. Ndërkohë, Irlanda e Veriut ka mundur 2-0 Ukrainën, në ndeshjen e vlefshme për grupin C. Në Lion, irlandezo-veriorët kalojnë në epërsi me anë të Mek’oulit në fillimin e pjesës së dytë. Goli i dytë shënohet nga Mek’xhin, në minutën e 94-t të takimit.