AlbanianSport.com 20.06.2016 21:05
ASNN – Pas grupit A të dielën, edhe grupi B i Evropianit “Francë 2016” i ka mbyllur ndeshjet e tij të hënën, duke konfirmuar Uellsin në vendin e parë, me 6 pikë, të ndjekur nga Anglia, në të dytin, me 5 pikë dhe Sllovakia, në të 3-tin, me 4 pikë. Ky grup i djeg kështu Shqipërisë një shans për të shpresuar për vendin në turin e 16-shes.
Dita e 11-të e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, ka luajtur dy takimet e fundit të vlefshme për grupin B dhe Anglia dhe Sllovakia janë ndarë me rrjeta të paprekura në takimin midis tyre, duke ndarë nga një pikë që i kualifikon të dyja për më tej.
Anglezët kanë qenë më dominues në pjesën e parë, por loja e tyre ka qenë e lexueshme dhe u ka munguar gjakftohtësia para portës sllovake. Edhe pjesa e dytë ka patur të njëjtën tablo, por të dyja skuadrat duket se në fund janë kënaqur me pikën që nënkupton vendin në turin e 16-shes së “Francë 2016”.