AlbanianSport.com 11/01/2019 22:05
ASNN – Etapa e katërt e “Dakar 2019”, ka patur disa momente tepër të veçanta, kjo për shkak të errësirës por edhe të dunave të pabesa të rërës. Kështu, kampioni Karlos Sainzi, bëri një gabim gjatë udhëtimit, duke bërë që ekipazhi i tij të bjerë në një gropë rëre, duke pësuar dëmtime të mëdha. Madje u mendua, për një moment, edhe tërheqja e tyre nga gara.
Shpresat e spanjollit për rikthimin te titulli u zvogëluan mjaft për shkak se u deshën 4 orë që drejtuesit e garës të nxirrnin makinat nga gropa. Ndërkohë që fitues i etapës së katërt ishte Stéfan Peterhansel, i cili mbërriti në Arekipa me kohën 3 orë, 54 minuta e 32 sekonda, duke mposhtur Naser Al-Atijan me “Toyota”, me 3 minuta e 26 sekonda. Pas kësaj fitoreje, Peterhansel ndodhet në vendin e 3-të të renditjes së përgjithshme, 7 minuta e 3 sekonda pas kreut të renditjes, Al-Atijas.
Nëntë herë kampioni i botës në “Relli”, Sébastien Lëbi, tregoi se gara pati disa gabime gjatë rrugëtimit. “Ishte shumë mjegull dhe kishim shumë vështirësi për të gjetur rrugën e duhur, – ka sqaruar ai. – Kemi humbur gjysmë ore kohë duke u rrotulluar në vend derisa të gjenim rrugën e duhur për të rifilluar garën. Harta që kishim ishte pak a shumë e mirë, por problemi ishte në rrafshnaltën, me mjegull, që nuk mund ta shihje. Megjithatë ky është “Dakari”, me vështirësitë e tij, me ulje-ngritje dhe të papriturat”.