AlbanianSport.com 18.05.2016 09:45
ASNN – Sot luhen ndeshjet e javës së 36-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore dhe gjithçka do të jetë përqendruar në aksin Tiranë-Vlorë, aty ku qëndron pezull edhe fati i titullit “kampion”. Partizani pret sot në kryeqytet Teutën, duke synuar fitoren dhe duke shpresuar në një hap fals të Skënderbeut, që ndeshet në Vlorë me Flamurtari, në takimin që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Korçarët kryesojnë të shkëputur dy pikë nga Partizani.
Do të jetë një titull i 6-të radhazi, në vetvete historik, për Skënderbeun, apo fundi i një pritjeje prej 23 vjetësh për Partizanin. Kjo është dilema e madhe e këtyre orëve të fundit të sezonit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Teksa kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur, Skënderbeu kryeson në kuotën e 76 pikëve, dy më tepër sesa Partizani dhe fati i titullit “kampion” tashmë është në duart e vetë korçarëve.
Fitorja minimale, por e vyer e të kuqve kryeqytetas në Korçë në fundjavë e ka zhvendosur balancën në favor të tyre, por fakti është që gjithçka do të varet nga ajo që ndodh në Vlorë dhe sesa do të luhet ndershëm atje. Një gjë të tillë kanë kërkuar drejtuesit e Partizanit, ndërsa po këtë kanë premtuar, të paktën me fjalë, drejtuesit e Flamurtarit. Takimi midis Flamurtarit dhe Skënderbeut, që do të luhet në Vlorë, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Policia e Vlorës ka bërë të ditur një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes së sotme, ku pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Sot luhen edhe takimet e tjera të javës së 36-të të Kategorisë Superiore, Laçi-Tërbuni, Kukësi-Tirana dhe Vllaznia-Bylis, që nisin gjithashtu në ora 17:00.