Gjergj Vyshka 07.01.2016 12:25
Federata Shqiptare e Shahut nderon në 80-vjetorin e lindjes një nga themeluesit dhe figurat e saj më të mëdha, që bën historinë e sportit të katrorëve bardhezi në vendin tonë. AlbanianSport.com po ju sjell në dy pjesë një profil të Esat Durakut dhe pjesa e parë ishte dje, ndërsa e dyta është sot.
…vijon nga dje
Nuk kursehen fjalët e mira – I pari që ka folur ka qenë Neritan Babamusta, i cili e ka quajtur unikal, sepse ishte një nxënës shumë i mirë në gjimnas, një student shumë i mirë në Universitet, dhe mjeshtë në punët e tij jo vetëm si shahist, por dhe si mikrobiolog. “Dhe të gjitha këto janë mbledhur tek Esat Duraku”.
Kristaq Andoni ka premtuar se një libër i posaçëm për Esat Durakun do të bëhet, ndërsa Vangjel Adhami ka dhënë premtimin se shpejt “do ta nxjerrim nga shtëpia për të pirë një kafe me të”. Dhe po kështu edhe Shkëlqim Laze e Rozana Çima, e cila i ka dorëzuar lulet, apo dhe Erald Dervishi, që i ka dhënë titullin “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Shahut.
Duraku flet me fotografitë – Një ekspozitë fotografike ka treguar karrierën e gjatë të Esat Durakut, që ka nisur me Kampionatin Botëror të Varnës, atje ku ka qenë së bashku me Ylvi Pustinën dhe Teodor Siliqin. “E kam pësuar prej këtij Botërori, sepse kam dhënë një provim shteti tre ditë përpara datës së caktuar dhe për shkak të mos seriozitetit, siç e quajti profesori i lëndës, më vunë notën katër kur në atë grup u morën 13 pesa nga 15 studentë, – rrëfen Esati.
Unë nuk e dhashë më provimin, por sidoqoftë, nuk ishte mirë, – vijoi shahisti veteran. – Madje kemi luajtur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Pustina ishte përballë Lombardit. Unë kisha kundërshtar Medvinin, të cilin do ta takoja dhe në Olimpiadën e Ziegenit më 1970 dhe me një anglishte të mirë nga ana ime kuptova që më tha se qenke më i ri se në 1958-ën. Sepse provimet e shtetit në atë kohë më kishin rraskapitur”.
Fotot në Kupën “Stavri Angjeli” më 2000, apo me ambasadorin amerikan në Spitalin Ushtarak në Tiranë më 1994, ndërsa Duraku ishte drejtori i tij, kanë pasuruar arkivin e karrierës së tij. Që janë pasuar më pak me foto në kampionatin individual më 1961, apo me Ilir Seitajn e Fatos Muçon duke dhënë intervistë gazetës Bashkimi. Po kështu pamje nga kampionatet 1965 dhe 1968, apo duke i dorëzuar titullin Mjeshtër FIDE, Zeqir Sulës. Me ekipin kombëtar më 1970 në Ziegen dhe më 1982 në Lucernë, si dhe në turneun e Durrësit më 2011.
Vlerëson Bezhani – Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, nuk ka munguar as në këtë ceremoni për 80-vjetorin e lindjes së Esat Durakut. “Për mua është nder i madh që më ftuat në këtë ceremoni në të cilën të marrësh pjesë është detyrim, – ka thënë kreu i Lëvizjes Olimpike Shqiptare. – Sepse kemi të bëjmë me figura që jo vetëm kanë thelëmuar e forcuar shahun, por janë intelektual të mirëfilltë.”
“Ajo që na del ne për detyrë është të bëjmë më shumë për ta, sepse janë vlera që do të rrisin një brez më të fortë të të rinjve. Janë modele që brezin e ri do ta bëjnë më të lumtur. Nuk mbetet gjë tjetër, veçse t’ju falënderoj për këtë që bëni për figurat dhe historinë tuaj”, – ka përfunduar Bezhani duke premtuar që bashkëpunimi me shahun do të jetë më i fortë në vazhdim.