Gjergj Vyshka 16.01.2015 13:15
Erzeni i Kategorisë së Dytë, pretendent për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, është mirënjohës për atë që kanë bërë lojtarët e saj. Në përfundim të fazës së parë, Erzeni është ne vendin e dytë të grupit të Veriut, teksa ka arritur dhjetë fitore e ka pësuar vetëm dy humbje. Madje ka shënuar 31 gola, teksa ka grumbulluar 30 pikë. Sipas shijakasve, lojtarët dhanë shpirtin në fushë gjatë gjithë fazës së parë.
“E për këtë ne i jemi mirënjohës që nga futbollisti më i mirë i ekipit e deri tek rezerva e fundit, – kanë thënë shijakasit në faqen e tyre në “Facebook”, KF Erzeni. – Në çdo ndeshja ata na kanë dhënë emocione të mëdha dhe na mbajnë me emocione, ndërsa këto lojtarë pranuan që të ishin pjesë e Erzenit, edhe pse aktualisht financat janë të ulëta. Dhe e keqja është se futbollistët nuk po paguhen rregullisht.”
“Madje kanë pasur dhe oferta nga klubet e tjera, por i kanë refuzuar dhe nuk janë larguar nga Erzeni”, – kanë shtuar shijakasit, të cilët vazhdojnë të jenë mirënjohës për këto futbollistë. Madje i kanë bërë thirrje Bashkisë së Shijakut që t’i paguajnë rregullisht lojtarët, të cilët jo vetëm që kanë premtuar për ngjitjen e Erzenit në Kategorinë e Parë, por dhe i kanë bërë krenar të gjithë shijakasit.
“Bashkia duhet të kujdeset për skuadrën e lojtarët, sepse ata gëzojnë të gjithë qytetin. Faleminderit lojtarëve që qëndruan. Faleminderit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe suksese për afrimet e reja. Suksese dhe Florian Peqinit, i vetmi lojtar i huazuar nga skuadra jonë”, – kanë përfunduar shijakasit.