AlbanianSport.com 29.12.2014 10:40
ASNN – Erzeni ka goditur ende pa u hapur zyrtarisht merkato e dimrit, e cila nis më 1 janar për të përfunduar në fund të muajit të parë të vitit 2015. Janë katër afrime në skuadrën e Ormand Vorës, e cila pretendon që të ngjitet në Kategorinë e Parë, ndonëse është vetëm 4 pikë larg Korabit kryesues në Veri. Me rregulloren e veprimtarive të sezonit futbollistik 2014-2015, skuadrat e renditura të dyta në të dy grupet e Kategorisë së Dytë e kanë dhe një shans për të shpresuar ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Sepse e dyta përballet në “play-off” me vendet e 9-ta të të dy grupeve. Më saktë e dyta e Veriut luan me të 9-tën e Jugut të Kategorisë së Parë dhe e dyta e Jugut të Kategorisë së Dytë luan me të 9-tën e Veriut të Kategorisë së Parë. Erzeni i ka shanset e arta për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë si kryesuese në kushtet kur do të presë si Partizanin B, që është aktualisht e treta, por dhe Korabin e vendit të parë pikërisht në javën e fundit të fazës së dytë.
Dhe për të pasur një skuadër ndryshe, Erzeni ka bërë katër përforcimet e para, të cilët i janë bashkuar skuadrës. Ardhja e parë është Bledar Zakova, që në fazën e parë ka qenë pjesë e Luzit 2008. Më pas ka ardhur nga FK Sukthi, Ornold Hodo. Ardhja e tretë, por që duket se është cilësore është Ledian Taullahu, i cili në fazën e parë ka luajtur me Lushnjën në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pa harruar që më parë ka luajtur dhe me Albpetrolin e Naftëtarin.
Dhe përforcimi më i fortë i shijakasve është ardhja e portierit Sulejman Hoxha, i cili ka luajtur në Greqi me Paniliakos. Në Shqipëri në karrierën e tij, Hoxha portier ka luajtur me Dinamon, Erzenin, Apoloninë, Pogradecin, Teutën dhe Partizanin. Pa harruar që ka qenë edhe pjesë e Kombëtareve të Nën-17, Nën-19 dhe Nën-21-vjeçarëve. Kësisoj me Hodon, Zakovën, Taullaun dhe portierin Hoxha, Erzeni duket se i ka vënë vulën përforcimeve nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër ende pa u hapur zyrtarisht.