Gjergj Vyshka 21.11.2014 12:20
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Kryetarit të Bashkisë së Shijakut, Indrid Buka, i cili ka pohuar se Erzeni ishte nisur për miqësore me ndërmjetësinë e një sponsori, që kishte lidhje me skuadrat turke. “Skuadra ka qenë e drejtuar nga trajneri dhe pjesë e delegacionit ka qenë dhe një përfaqësues i Bashkisë së Shijakut, – ka shpjeguar Buka. -Meqë kampionati ka qenë pushim, atëherë na është sugjeruar kjo miqësore në Turqi dhe ne e kemi pranuar.”
“Në fakt ka qenë trajneri që ka kontaktuar me një person që kishte të njohur në Turqi për këtë miqësore, – ka vijuar ai. – Në kthim autobusi është ndalur në doganën greke dhe policia ka gjetur sasinë e drogës. Ka ndalur shoferin dhe një person tjetër të autobusit, ndërsa me skuadrën nuk është marrë fare. Madje dhe duke komunikuar anglisht me policët, grekët i kanë shpjeguar lojtarëve që nuk kanë punë me ta dhe janë të lirë të vazhdojnë rrugën.”
“Problemi ka qenë se duhet të gjenin makina të rastit për t’u kthyer në Shqipëri”, – ka shtuar kryebashkiaku Buka, i cili shpjegon dhe tregon se nuk kanë qenë ata që e kanë prenotuar autobusin. “Përkundrazi të gjitha kanë qenë të garantuar nga ai që ndërmjetësoi këtë miqësore, që nga autobusi, hoteli apo gjithçka tjetër që lidhet me akomodimin e skuadrës, – ka thënë ai. – Që do të thotë se nuk e implikon fare ekipin me këtë gjë. Problemi i vetëm është me shoferët e autobusit dhe asgjë tjetër”.
E kësisoj vajtja e Erzenit në Turqi dhe në Stamboll është kthyer në një aventurë të rrezikshme, që për fat të mirë nuk ka përfshirë fare lojtarët e shijakasve.