AlbanianSport.com 20.10.2014 08:00
ASNN – Erzeni e ka marrë seriozisht këtë sezon dhe ka si synim ngjitjen në Kategorinë e Parë. Shijakasit regjistruan dje fitoren e tretë radhazi në kampionat pasi mundën Teutën B me rezultatin 1-0, në takimin e vlefshëm për javën e 3-të të grupit A të Kategorisë së Dytë. Në këtë mënyrë, Erzeni vazhdon kryesimin në Grupin A me pikë të barabarta me Korabin, por me golavarazh më të mirë.
Ndërkaq, Stavri Nica ka debutuar në mënyrën më të keqe me Luzi 2008. Ish-trajneri i njohur i disa skuadrave të Superiores dhe që i bëri të mundur Laçit të fitonte Kupën e Shqipërisë dy sezone më parë, tashmë ka zgjedhur Kategorinë e Dytë. Por, skuadra e tij është mundur në sfidën e djeshme 1-0 në fushën e vet nga Korabi. Me këtë 3- pikësh, dibranët janë sërish në krye me pikë të barabarta me Erzenin.
Shënkolli ka arritur të fitojë thellë përballë Domosdovës në takimin e luajtur në stadiumin “Kastrioti”. Ndeshja u zgjidh brenda 25 minutave të para. Shënkollasit kanë realizuar tre gola të njëpasnjëshëm me anë të Dodajt, Djalës e Dedës. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë, vendësit shënojnë edhe dy gola të tjerë me Dedën dhe më pas me Mirditën. Shënkolli renditet në vendin e 3-të.
Ndërkohë, Partizani B ka arritur dje fitoren e dytë radhazi në po kaq takime që ka zhvilluar në kampionat. Të kuqtë kanë mundur Albpetrolin në Patos 2-0 falë dygolëshit të sulmuesit Jurgen Vatnikaj. Synimi i të kuqve këtë sezon është ngjitja në Të Parën. Nga ana tjetër, ka qenë një ndeshje derbi me të vërtetë e bukur, plot emocione dhe me gola ajo midis Tiranës B dhe Olimpikut, ku të dyja skuadrat kanë shënuar nga dy herë.
Dhe, së fundi, ndeshja ndërmjet Sukthit dhe Skraparit nuk është zhvilluar. Forcat e rendit, për arsye të ndryshme, janë vonuar në ardhjen e tyre në stadium dhe kanë mbërritur pranë fushës pas 40 minutash pritje. Megjithëse delegati u ka thënë ekipeve që të nisë takimi, kanë qenë miqtë nga Skrapari që nuk kanë pranuar të dalin në fushë, me pretendimin se kishte pak policë.
Megjithatë, delegati ka dhënë urdhër që sfida të niste dhe arbitri së bashku me ekipin vendës kanë zbritur në fushë, në një kohë që Skrapari nuk ka dalë. Në lidhje me këtë çështje, donatori i Skraparit, Adil Guri shprehet: “Pas 47 minutash pritje, në fushën sportive u shfaqën tre efektivë të policisë. Nuk mund të luanim. Kërkojmë pikët në tavolinë”.
Kategoria e Dytë
Grupi A
Java e 3-të
(19 tetor 2014)
Luzi 2008 – Korabi 0-1
Erzeni – Teuta B 1-0
Albpetrol – Partizani B 0-2
Shënkolli – Domosdova 5-0
Sukthi – Skrapari (nuk u zhvillua)
Tirana B – Olimpik 2-2
Vora pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Erzeni 3 3 0 0 8-2 9
- Korabi 3 3 0 0 5-1 9
- Shënkolli 3 2 0 1 8-2 6
- Partizani B 2 2 0 0 3-0 6
- Luzi 2008 3 1 1 1 4-3 4
- Albpetroli 3 1 1 1 2-2 4
- Sukthi 2 1 0 1 2-2 3
- Teuta B 3 0 2 1 0-1 2
- Olimpik 3 0 2 1 3-6 2
- Vora 2 0 1 1 0-1 1
- Tirana B 2 0 1 1 3-5 1
- Domosdova 3 0 0 3 2-10 0
- Skrapari 2 0 0 2 0-5 0