AlbanianSport.com 30.12.2014 17:05
ASNN – Merkatoja e dimrit në skuadrën e Erzenit, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht, ka nisur të lëvizë jo vetëm për futbollistët që do të afrohen, por dhe për ato që kërkohen nga skuadrat e tjera. Kështu ka ngjarë dhe me Ismail Vatën, futbollisti i cili sipas faqes në “Facebook”, KF Erzeni, është kërkuar nga kryesuesit e grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë, Korabi.
Por, gjithnjë sipas burimeve të kësaj faqeje, ky lojtar ka refuzuar të bëhet pjesë e dibranëve, ndërsa ka preferuar që ta çojë deri në fund kampionatin e kategorisë së dytë me Erzenin. Gjithnjë duke pretenduar se do të jetë së bashku me shijakasit e tjerë në Kategorinë e Parë. Nuk duhet harruar se zyrtarisht shijakasit kanë bërë deri më tani katër përforcime që janë Hodo, Taullahu, Zakova dhe portieri Sulejman Hoxha.
Një tjetër largim që pritet të ndodh është dhe i mbrojtësit Florian Peqini, i cili është kërkuar nga Besëlidhja në Kategorinë e Parë, që është pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Burimet thonë që Peqini është shumë pranë kalimit tek lezhjanët, por deri më tani vetë dhe futbollisti e ka hedhur poshtë një opsion të tillë.
Në këto kushte, kur Vata i ka rezistuar ofertës së Korabit dhe Peqini asaj lezhjane, atëherë Erzeni në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër duket se do të ketë vetëm afrime, sepse grupi do të jetë po ai që ka përfunduar fazën e parë të kampionatit të Kategorisë së Dytë.