AlbanianSport.com 02/02/2019 22:05
ASNN – Erzeni ka mundur 2-0 Vllazninë në ndeshjen hapëse të gjysmës së dytë të Kategorisë së Parë të kampionatit Kombëtar të Futbollit. Shijakasit kanë realizuar dy gola, nga një në secilën pjesë duke marrë kështu një fitore të vlefshme përsa i përket renditjes. Pas kësaj fitoreje, Erzeni i vendit të dytë ngjitet në kuotën e 31 pikëve, kundrejt 35 të Vllaznisë së vendit të parë në grupin A. Kështu, Erzeni nuk kishte si ta niste më mirë gjysmën e dytë të Kategorisë së Parë.
Shijakasit kanë fituar 2-0 me Vllazninë kryesuese të grupit A. Edhe pse pritej të ishte një ndeshje e luftuar, e fortë dhe me shumë gola, pasi luanin dy kryesueset e grupit A, ajo nuk i ka përligjur pritshmëritë. Për shkak të dënimit të fushës së Shijakut, ndeshja është luajtur në stadiumin e Shkumbinit në Peqin. Fati i këtij takimi vendoset që në minutën e 2-të. Që në sulmin e tyre të parë, shijakasit kalojnë në epërsi. Është kapiteni Orion Xhemalaj që shënon me një goditje brenda zonës, dhe 1-0 për Erzenin.
Shkodranët të tronditur nga pësimi i golit kaq shpejt, mundohen të reagojnë por pa rezultat. Në të 15-ën minutën është Krymi që provon me të majtën nga jashtë zone por topi përfundon jashtë. Në të 18-ën, është kapiteni Gilman Lika që provon të shënojë por largon një qendërmbrojtës i skuadrës shijakase. Dy minuta më vonë, goditje dënimi për Vllazninë, e fituar nga Gilman Lika. Është vetë kapiteni I Vllaznisë që gjuan, por portieri vendas, Vata, pret me lehtësi.
Në minutën e 27-të është dalja e dytë e Erzenit që krijon një rrezik serioz në portën e Vllaznisë. Lajthia gjuan bukur, por grushton me vështirësi portieri Sherri. Gjatë pjesës së parë është Vllaznia që krijon vëllim loje, por pa finalizuar, ndërsa Erzeni zbret dy herë në zonën shkodrane, gjuan dy herë e nga këto njëra përfundon në rrjetë. Pjesa e dytë është fotokopje e së parës. Ndërsa pritej një reagim më i fortë i Vllaznisë, është sërish Erzeni që shënon.
Në minutën e 53-të, topin e ardhur nga shtylla horizontale, mbrojtësi i Vllaznisë, Marku e dërgon në mënyrë të pavullnetshme portën e vet. Një autogol i shkodranëve që duket se “i bëjnë kështu gropën vetes”, duke u gjendur në dy gola disavantazh. Shumë cinike skuadra e Gentian Stojkut që në të vetmet raste kur sulmon arrin edhe të shënojë. Por Vllazna nuk pajtohet me humbjen dhe sulmon pareshtur. Në minutën e 61-të, sulm i shpejtë i shkodranëve, në qendër të zonës shijakase.
Por portieri Vata tregohet më i shpejtë. Më pas, në të 67-ën, është kapiteni Lika mundohet të gjuajë me të djathtën por pengohet nga mbrojtja e Erzenit. 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt të ndeshjes, është Erzeni që është shumë pranë golit të tretë. Xhonatan Lajthia, përfiton nga një gabim i mbrojtjes shkodrane dhe gjuan, grushton portieri Sherri. Topi edhe njëherë në këmbët e futbollistit të Erzenit, por gjujtja e dytë e tij përfundon jashtë kuadratit.
Pas kësaj fitoreje, Erzeni ngjitet në kuotën e 31 pikëve në vendin e dytë, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e parë me 35 pikë në grupin A. Emocionet e kësaj sfide u përcollën për teleshikuesit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në sfidat e tjera të luajtura të shtunën, në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit u arritën këto rezultate:
Kategoria e Parë
Grupi A
Të shtunën:
Vora – Dinamo 1-0
Shënkolli – Besëlidhja 1-2
Korabi – Veleçiku Koplik 3-1
Erzeni Vllaznia 2-0
Të dielën:
Iliria Fushë-Krujë – Burreli
Grupi B
Të shtunën:
Apolonia – Pogradeci 1-0
Turbina – Tomori 0-2
Bylis – Lushnja 3-0
Elbasani – Besa 0-3
Të dielën:
Egnatia – Orikumi