AlbanianSport.com 02/02/2024 12:45
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka arritur marrëveshjen me trajnerin Bledi Shkëmbi për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Nën-19-vjeçarëve. Ish-futbollisti i Kombëtares, i cili prej vitesh ka nisur karrierën si trajner do të zëvendësojë në këtë detyrë trajnerin Ervin Bulku, i cili do të jetë pjesë e stafit teknik të trajnerit Silvinjo. Bledi Shkëmbi është një emër i njohur në vendin tonë, teksa ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur të brezit të tij.
Ai gjithashtu numëron edhe 14 ndeshje me Kombëtaren e të rriturve, ndërsa si trajner ka punuar në drejtimin e klubeve si Teuta dhe Dinamo në Shqipëri, apo dhe Lirisë e Ballkanit në Kosovë. Tani detyra e tij do të jetë të ndihmojë në rritjen e talenteve kuqezi. Në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin në vend, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, shpjegoi arsyet e këtij ndryshimi në ekipin kombëtar të kësaj grupmoshe.
Ai vlerësoi punën e bërë nga trajneri Ervin Bulku, i cili tashmë do të ketë një detyrë akoma më të rëndësishme, si pjesë e stafit teknik të Kombëtares së të rriturve dhe më pas shtoi se postin e trajnerit në ekipin kombëtar të Nën-19-vjeçarëve do ta marrë Bledi Shkëmbi. “Përpara se të prezantojmë trajnerin e ri, dua të flas pak për atë që largohet nga ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, sepse është promovuar në skuadrën e të rriturve.”
“Pra bëhet zyrtarisht pjesë me kohë të plotë Kombëtares së madhe, Ervin Bulku, që për ne ka qenë një bashkëudhëtar i shkëlqyer sepse ka treguar vlera të jashtëzakonshme njerëzore. Kjo na bën shumë krenar sepse për këto cilësi ai u vlerësua edhe nga trajneri i ekipit tonë kombëtar. Ndërkohë, trajneri i ri i ekipit kombëtar të Nën- 19-vjeçarëve është ish-lojtari i Kombëtares kuqezi, Bledi Shkëmbi”, – përfundoi Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.