AlbanianSport.com 01.02.2015 17:05
ASNN – Ermir Lenjani është vetëm njëri prej atyre futbollistëve shqiptarë që kanë shpërthyer gjatë këtyre viteve të fundit. Por, sipas asaj që shkruan e përditshmja kosovare, “Zëri”, futbollisti kuqez nuk është bërë i njohur për tifozët shqiptarë vetëm pas “shpërthimit” me fanellën e Kombëtares shqiptare. Përparimi i shpejtë i tij nisi qysh më herët. Para pak vitesh, vlera e këtij futbollisti shqiptar nuk ishte më e madhe se 50 mijë euro. Por, sot çmimi i kartonit të tij ka “hipur në qiell”.
Vlera e tij tani është milionëshe, shkruan e përditshmja në fjalë. Në vitin 2010, kur ai luante për Uinterthurin, vlera e tij llogaritej rreth 50 mijë euro. Mirëpo, pasi u huazua te Gras’hopersi, Lenjani nisi “të shtrenjtohet”, dhe vlera e tij llogaritej rreth 200 mijë euro. Pas një kohe të shkurtër, futbollisti nga Kamenica u kthye te Uinterthuri, ku luajti deri në vitin 2013. Më pas, nga ky ekip, Lenjani u transferua te St. Galenit, pjesë e të cilit ishte deri në këtë dimër.
Ai transferim bëri që faqja e Internetit, e specializuar në transferimin e futbollistëve, “Transfermarkt”, ta shtonte vlerën e kartonit të tij në 300 mijë euro, shkruan “Zëri”. Lenjani shkëlqeu te St. Galeni, sidomos gjatë vitit 2014. Gjatë vitit që lamë pas, ai i befasoi të gjithë edhe me paraqitjet e tij edhe me fanellën e Shqipërisë në ndeshjet eliminatore për “Euro 2016”-tën. Dhe, kështu kishte nisur të tërheqë pas vetes shumë skuadra evropiane.
Por, në fund ai e zgjodhi klubin francez, Renën. Pas një pushimi të shkurtër në Kosovë, prej disa javësh Lenjani gjendet në “Rut dë Loriont”. Ndërsa, “Transfermarkt” është përkujdesur t’ia vendosë vlerën më të re. Dhe, ajo sot është 1.5 milion euro. Shumë shpejt pritet të kthehet nga dëmtimi, për ta përforcuar edhe më tepër skuadrën e tij të re.