AlbanianSport.com 29/10/2018 15:15
ASNN – Paris SG-ja mposhti mbrëmjen e të dielës Marsejën me rezultatin 2-0. Në këtë ndeshje trajneri i kampionëve në fuqi të Francës, Tomas Tuhel, la në stol talentin e madh Kilian Mbape, duke ngjallur dyshime për një dëmtim të mundshëm të sulmuesit. Por lënia në stol nuk ka ndodhur për efekt strategjik, as teknik, e as arsye dëmtimesh. Kilian Mbape ka thyer rregullat dhe trajneri i ka dhënë masë ndëshkimore me qëndrim në stol.
Natyrisht, duket e ekzagjeruar për një lojtarë të talentuar e të rëndësishëm, por kushtet profesioniste të trajnerit dhe të klubit nuk bëjnë dallime. Sado i talentuar të jetë futbollisti, ai s’mund të bëhesh “gjeneral” e të sillesh si i do qejfi. “Kolektivi është gjithmonë më i rëndësishëm se individualeti, – u shpreh trajneri Tuhel. – Për mua nuk ishte gjë e mirë të luaja në një ndeshje kaq të rëndësishme pa Mbapenë titullar. Djali u përgjigj mirë, por mua nuk më pëlqen të marr vendime të tilla.”
Ndërkohë, mediat franceze kanë zbuluar dinamikën e ngjarjeve, ku dy lojtarë, Mbape dhe Rabiot, kishin ardhur me vonesë në grumbullim. Për çudi, këtë vendim të trajnerit për të lënë në stol Mbape, e ka mbështetur fort sulmuesi brazilian Nejmar. Edhe mediat franceze vënë në pah faktin se midis Nejmarit dhe Mbapesë ka rivalitet dhe armiqësi, aq sa nuk i flasin as njëri-tjetrit në stërvitje.