AlbanianSport.com 26.09.2014 13:55
ASNN – Trajneri i Tërbunit, Elvis Plori, nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut të skuadrës pukjane, shpreh sigurinë e tij se nuk do të ketë hapa fals në ndeshjen e parë me Besën. “Ndeshja e parë do të jetë mjaft interesante, ndaj edhe stërvitja gjatë gjithë kohës është vlerësuar në maksimum”, – ka deklaruar ai në postimin e tij në rrjetin social.
“Ne si staf po mendojmë që, së bashku me ekipin, ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, – vijoi trajneri shkodran i pukjanëve. – Ne do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv. Mendoj se edhe me pak fat do të dimë që ta kalojmë këtë takim me sukses.”
Gjithashtu, edhe drejtuesit e Tërbunit janë optimistë për skuadrën që i ka të gjitha mundësitë për t’u ngjitur nga Kategoria e Parë në Kategorinë Superiore. Pas tre muajsh përgatitje, ekipi ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore ku nuk kanë munguar edhe rezultatet pozitive.