Dinamo / Përforcimet e dimrit, “mollë sherri” për blutë kryeqytetas
Nga Gjergj Vyshka 02.02.2015 18:55
Dinamo ka bërë katër përforcime në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Dhe ata portieri Elvis Kotorri, qendërmbrojtësi Marvin Turtulli, mesfushori Igli Allmuça dhe sulmuesi Daniel Xhafaj. Por të gjithë këto përforcime, të cilat janë me titullin e kampionit si ish-dinamovitë, kanë krijuar pakënaqësinë mes grupit të futbollistëve të trajnerit Dritan Mehmeti.
Veçanërisht tek ata që e kanë përballuar mirë pjesën e parë të këtij sezoni deri më 20 dhjetor, teksa në përfundim Dinamo u rendit në vendin e dytë me 20 pikë duke qenë vetëm një pikë larg Lushnjës kryesuese. Përtej kësaj situate që në fakt mbizotëron në kampin blu, teksa të pakënaqurit janë shtuar në masë kohët e fundit, Saliaj ka bërë dhe një analizë të miqësores së fundit të periudhës përgatitore dimërore ndaj Korabit.
“Skuadra në përgjithësi luajti mirë, por do të kisha pretendime për më shumë qarkullim të topit në fushë dhe lëvizje më të shpejta të futbollistëve, – ka deklaruar ai. – Megjithatë kam mendimin se gjithçka do të vijë në rregull që nga ndeshja e 7 shkurtit në Lushnjë”. Dhe në fund të miqësores me Korabin, Saliaj ka pasur dhe një bisedë me qendërmbrojtësin Tako.
“Ai, për pretendimet e tij ekonomike që kërkon të luajë tek Dinamo, mendoj se është i shtrenjtë për ne, – ka thënë administratori blu. – Aq më shumë që ne tani e kemi të plotësuar organikën e skuadrës. Dëshirën e ka të madhe që të luajë me ne, por pamundësitë qoftë për hapësira në fushën e lojës, apo dhe për atë që kërkon ai është shumë e vështirë të jetë me ne.”,
Kështu, Saliaj, që tashmë duhet të zgjidhë pakënaqësitë mes lojtarëve. Sepse më vonë do të jetë kosto shumë e madhe në kurriz të objektivit për të qenë në Kategorinë Superiore pas tre vjetësh mungesë…