Kosova / Superliga e Basketbollit, të shtunën “akti final”, Peja-SIGAL Prishtina
AlbanianSport.com 19.05.2016 22:05
ASNN – Superliga e Kosovës në Basketboll për Meshkuj e ka çuar gjithçka në skaje sa i përket drithërimave dhe emocioneve. Ndeshja e fundit e finales së “play-off”-it, e cila do ta shpallë edhe kampionen e re të Kosovës, do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje në Palestrën “Karagaç”, duke nisur nga ora 19:30.
Peja dhe Sigal Prishtina i kanë fituar nga dy duele ndaj njëra-tjetrës si vendase në këtë betejë finale, ndërsa ndeshja e pestë do të tregojë se cili është ekipi numër 1 aktualisht në Kosovë. Analistët e paralajmërojnë një finale spektakolare, por edhe shumë të vështirë për të dyja rivalet më të mëdha të basketbollit kosovar.
Sipas tyre, favoritë nuk ka. “Në parket nuk do të ketë favorit, pasi besoj se detajet do ta përcaktojnë fituesin e titullit të “kampionit”, – tha për të përditshmen kosovare “Zëri” ish-basketbollisti i njohur i Trepçës, Artan Mehmeti. Edhe trajneri i njohur, Jeton Nixha, paralajmëron finale të fortë dhe dramatike, ndonëse favorizon paksa SIGAL Prishtinën.
“Finalet janë finale dhe nuk u dihet, mirëpo nga cilësia e lojtarëve atëherë mund të them se SIGAL Prishtina është favorite, pasi ka një grup të lojtarëve më të mirë sesa Peja”, -theksoi ai. Prishtina ka fituar më lehtë para tifozëve të saj, kurse Peja deri më tani është treguar e pathyeshme në “Karagaçin” e nxehtë, çka premton dramë deri në fund