Basketboll – Meshkuj / Përplasje në “Fahrie Hoti”, sulmohet “ish”-i Algert Gjonaj
Gjergj Vyshka 20.03.2016 12:35
Fundi i ndeshjes së basketbollit të meshkujve mes Tiranës dhe Vllaznisë, që dje në mbrëmje është luajtur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqyet, është kthyer në një arenë “boksi”. Ndërsa lojtarët e Tiranës kanë shkuar për t’u përshëndetur me “ultrasit” e tyre, të cilët për asnjë moment nuk kanë pushuar së mbështeturi, e kur të gjithë po largoheshin nga salla sportive, është dëgjuar një zhurmë e madhe rrëmuje. Ultrasit janë në parket, ndërsa janë në ndjekje të basketbollistit të Vllaznisë, Algert Gjonaj, që deri në janar ka qenë pjesë e Tiranës.
Falë vrapit të shpejtë, basketbollisti ka shkuar në dhomat e zhveshjes. Ka goditje të portës së hekurit me shqelma, që ndan fushën me dhomat e zhveshjes e menjëherë është lajmëruar policia, e cila më pas ka mbërritur me forca të përforcuara. E vërteta është se dje kryendeshja e basketbollit të meshkujve, Tirana-Vllaznia, është luajtur vetëm me një polic, ndërsa “Fahrie Hoti” ishte në kapacitetin maksimal të shikuesve. Jo vetëm kaq, por një polic për vetëm rreth 100 “ultras” të Tiranës në “Fahrie Hoti” ka qenë shumë pak.
Vetëm ndërhyrja energjike e drejtuesve të klubit Tirana, veçanërisht inspektorit Flamur Alimehmeti e, më pas, edhe shefit të klubit, Pirro Koleka, ka shmangur katrahurën, e cila mund të kishte qenë edhe më e rëndë. Sipas bardhebluve, Gjonaj ka provokuar tifozët, të cilët në fakt që nga mesi i pjesës së 3-të e deri në fund kanë pasur ofendime karshi lojtarëve kuqeblu. Por versioni i shkodranëve është se Gjonaj ka shkuar në fundin e lojës të takojë të vëllanë, i cili gjendej në pjesën e tribunës ku ishin dhe “fanatiksat”. Një shembull i keq, ndërsa vetëm nëpërmjet policëve basketbollistët e Vllaznisë janë larguar qetësisht nga Farie Hoti. Por ngjarja në fund ka pasur dhe të tjera zhvillime.