Gjergj Vyshka 21.05.2015 12:30
… vijon nga dje
Është kampion dhe rekordmen përsëri, sikurse më 1969 është dhe fitues i medaljes së artë në not dhe në vaterpolo. Me Partizanin numëron 38 rekorde të tjera kombëtare, kurse më 1970 fiton dhe titullin Mjeshtër Sporti. Emin Lishi ka pasur dëshirë të përmendi emrat e trajnerëve të tij si Petrit Caslli, Shuaip Mehmeti dhe Enver Murriqi. Pa harruar shefat e klubeve të Partizanit, edhe sepse është për 3 dhjetëvjeçarë pjesë e Partizanit nga 1964-1996.
Besim Fagu, Seit Poçi, Alush Abdihoxha, Muharrem Terihati, Mehdi Shkodrani, Gani Berberi, Mikel Janku, Patriot Aliaj, Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare, Mirjam Hakani etj. “Shiko që të merresh me notin në ato vite ka qenë më shumë se sa e vështirë. Për shembull në Shkodër detyroheshim të shkonim deri tek Ura e Bunës në këmbë e të ktheheshim. Megjithatë na ka dhënë më shumë se sa kënaqësi”, – tregon Lishi, i cili pasi la karrierën si notar u bë trajneri i Partizanit jo vetëm në not, por edhe në vaterpolo.
“Unë kam krijuar ekipet e para zinxhir tek Partizani, ndërsa më duhet të përmend një emër si Xhaferr Lami, i cili sot njihet si kampion i hipizmit. Pas ardhjes së demokracisë gjërat erdhën duke u vështirësuar. Megjithatë e kemi marrë shpërblimin”, – nënvizon Lishi, ndërsa numëron si të pakta veprimtaritë ndërkombëtare të asaj periudhe. “Vetëm më 1971-1972 kemi bërë një aktivitet të përbashkët me Kinën”, nënvizon Lishi. “Vaterpolo është një sport me të cilin mund të merren ish-notarët”, – vijon ai më tej.
“Dhe që të bëhet në vendin tonë kërkon një përkushtim nga të gjithë, sidomos nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Notit, apo dhe instancat më të larta. Sepse është sport që argëton të gjithë”, – tregon Lishi, të cilit vazhdon “t’i dhembë” vaterpolo. Edhe sepse 5 herë kampion i vaterpolos me Vllazninë e Partizanin si lojtar. Më pas trajner e më pas dhe gjyqtar. Madje është dhe fitues i medaljeve të arta në Spartakiadën e dytë kombëtare po me Partizanin.
Por vaterpolo, që lindi në Shqipëri më 1951-1952, është mbyllur më 1991-1992. Ndaj dhe duket se vazhdon t’i dhembi humbja e një disipline të tillë të sporteve të ujit në vendin tonë, sikurse dhe kërcimet nga trampolina. Por për hir të kontributit të tij në not për 12 vjet, 1978-1990, Emin Lishi do të ishte pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Më pas dhe kryegjyqtar i garave, ndërsa me krenari tregon se sot janë mbi 100 gjyqtarë të rinj të angazhuar nga dora e tij
Vijon nesër…