AlbanianSport.com 01/12/2018 13:05
ASNN – Në Dublin të Irlandës u hodh sot shorti për Eliminatoret e Kampionatit Evropian, ku të gjitha skuadrat u ndanë në dhjetë grupe, nga A në J dhe secili ekip mësoi kundërshtarët e tij. Ndeshjet e eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2020 do të luhen të gjitha brenda një viti dhe jo brenda dy vjetësh siç ka qenë më parë formati i tyre.
Eshtë përcaktuar tashmë formati dhe rregullorja e re dhe ndeshjet eliminatore nisin në mars të vitit 2019 për të përfunduar në nëntor të atij viti. Janë 10 grupe gjithjsej dhe në Evropian do të shkojnë 20 skuadra, pra dy të parat e çdo grupi. Formati është mjaft i qartë dhe skuadrat mund të bëjnë llogaritë e tyre për objektivat që kanë. Mundësia e fundit për t’u kualifikuar më pas në Euro 2020 do të jetë nëpërmjet “play-off”-it.
Ai do zhvillohet në marsin e vitit 2020 dhe ku marrin pjesë skuadrat fituese të grupeve përkatëse në Ligën e Kombeve, siç është Kosova, e cila ka të garantuar që tani të paktën pjesëmarrjen në “play-off”. Pra për përfaqësuesen e dytë shqiptare, atë të Kosovës, ka një mundësi të dyfishtë për të shkuar në Evropianin e vitit 2020.
Shqipëria është në grupin H me 6 skuadra dhe do të zhvillojë 10 ndeshje në total. Dy takime do t’i luajë në mars 2019, dy në qershor 2019, dy ndeshje në shtator 2019, dy ndeshje në tetor 2019 dhe dy ndeshje në nëntor 2019. Kurse Kosova, duke qenë në një grup me 5 skuadra, do të luajë tetë takime.
Eliminatoret e Euro 2020
Ja përbërjet e grupeve
GRUPI A – Angli, Republika Çeke, Bullgari, Mali i Zi, KOSOVË
GRUPI B – Portugali , Ukrainë, Serbi, Lituani, Luksemburg, Bjellorusi
GRUPI C – Holandë, Gjermani, Irlandë e Veriut, Estoni
GRUPI D – Zvicër, Danimarkë, Irlandë, Gjeorgji, Gjibraltar
GRUPI E – Kroaci, Uells, Sllovaki, Hungari, Azerbajxhan
GRUPI F – Spanjë, Suedi, Norvegji, Rumani, Ishujt Faroe, Maltë
GRUPI G – Poloni, Austri, Izrael, Slloveni, Maqedoni, Letoni
GRUPI H – Francë, Islandë, Turqi, SHQIPËRI, Moldavi, Andorra
GRUPI I – Belgjikë, Rusi, Skoci, Qipro, Kazakistan, San Marino
GRUPI J – Itali, Bosnjë Hercegovinë, Finlandë, Greqi, Armeni, Lihtenshtejn
Ndeshjet dhe datat përkatëse:
Ndeshjet e para: 21–23.03.2019
Ndeshjet e dyta: 24–26.03.2019
Ndeshjet e 3-ta: 7– 8.06.2019
Ndeshjet e 4-ta: 10–11.06.2019
Ndeshjet e 5-ta: 5– 7.09.2019
Ndeshjet e 6-ta: 8–10.09.2019
Ndeshjet e 7-ta: 10–12.10.2019
Ndeshjet e 8-ta: 13–15.10.2019
Ndeshjet e 9-ta: 14–16.11.2019
Ndeshjet e 10-ta: 17–19.11.2019
Gjysmëfinalet e “play-off” të Ligës së Kombeve
luhen më 26-28.03.2020
Finalja luhet më: 29–31.03.2020